AktualitetBota+PolitikëTë fundit

Rama: Nëse Bordi i Paqes ndihmon ta shkundë OKB, Zoti e bekoftë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në Uashington, se Shqipëria është shumë e nderuar të jetë në këtë organizatë.

Duke marrë fjalën në mbledhjen inauguruese të kësaj strukture të re ndërkombëtare, e krijuar për të adresuar situatën në Rripin e Gazës, kryeministri Rama falënderoi Presidentin Trump që ftoi Shqipërinë në këtë udhëtim.

Duke iu referuar votimit në unanimitet në Kuvend të rezolutës për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, kryeministri Rama theksoi se “mbështetja bipartizane që morëm në parlament tregon gjithçka sa të kënaqur jemi që jemi pjesë e këtij Bordi”.

Kryeministri u ndal tek zërat që thonë se organizata është ngritur për të zëvendësuar OKB-në.

“Shumë në Europë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë OKB-në. Nuk duket si një përpjekje e tillë, por nëse ndihmon ta shkundë këtë gjigant, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes”, tha Rama.

Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes po zhvillohet në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump”, në Uashington D.C., nën drejtimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me pjesëmarrjen e liderëve nga vende të ndryshme të botës.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com