“Je i dënuar për shpifje e vjedhje të dhënash”, debati Shehaj – Malaj: Fundin e keni te SPAK-u, do përdoresh edhe ti si Belinda
Shehaj ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, gjatë një përplasjeje publike, duke e akuzuar për shpifje dhe për fshehje të përgjegjësive lidhur me një çështje financiare që, sipas tij, përfshin 100 milionë euro gjoba.
Ministri i Financave Petrit Malaj iu drejtua deputetit Agron Shehaj duke i thënë se një i dënuar për shpifje dhe vjedhje të dhënash, është fundi i botës. Malaj tha se për Shehajn ka një kallëzim penal lidhur me kompanitë që sipas Malajt, janë skema të parajsës fiskale.
“Mezi po e pres interpelancën me ty. Këtu është fundi i botës të flasësh ti për drejtësinë, një person që është dënuar nga gjykata si hajdut të dhënash, si shpifës. Edhe hajdut dhe shpifës. Vesi del me shpirtin, ke dhe një kallëzim tjetër që përsëri akuzohesh si hajdut të dhënash. Ka kallëzim penal për ty dhe kompanitë që ke krijuar si skema të parajsës fiskale. ‘Të çon të fala Monxani’”, tha Malaj.
Shehaj deklaroi se ministri ndodhet në një situatë të dëshpëruar dhe se, sipas tij, ka gënjyer publikisht. “E kuptoj që jeni të dëshpëruar, nuk ka dyshim. Kur një njeri është i tillë vetëm shpif. Ti nuk shpif, ti je shpifës nga maja e flokut te këmbët. Sapo gënjeve në mënyrë të paturpshme,” u shpreh ai.
Në vijim, Shehaj ngriti pikëpyetje mbi menaxhimin e një shume prej 100 milionë eurosh, duke pretenduar se ato lidhen me faljen e një gjobe. “I ke falur 100 milionë euro gjobë. Çfarë u bë me ato para? I mblodhe apo i ndave me Bankers? Si po i ndani? Si po bëhet? Për këtë jep llogari,” deklaroi kreu i Partisë Mundësia, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Ai paralajmëroi gjithashtu se zyrtarët e lartë që, sipas tij, kanë abuzuar me detyrën, do të përballen me drejtësinë, duke përmendur SPAK si institucionin ku, sipas tij, do të përfundojnë çështje të tilla.
Në deklaratën e tij, Shehaj përmendi edhe emra të tjerë të njohur të politikës shqiptare, përfshirë kryeministrin Edi Rama, si dhe ish-zyrtarë të lartë si Belinda Balluku, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj dhe Saimir Tahiri, duke pretenduar se edhe ministri aktual mund të ketë të njëjtin fat politik dhe ligjor.
“Duhet të kuptoni një gjë, nuk kam shumë vite këtu dhe si puna juaj kam dëgjuar pa fund. Gënjenin, shpifnin, por fundin e keni te SPAK-ut. Edhe ti që qesh aty të ka ardhur dita, po të përdor Rama siç bëri me Belinda Ballukun, Veliajn, Ahmetajn, Tahirin. Do të përdori dhe do të hedhë poshtë dhe do përfundosh në qeli ku do thuash “si ma bëri”. Ishin burra më të zotë se ty ata dhe kështu do përfundosh edhe ti, këtu do jemi”, u shpreh ai.
Fraksion.com

