Interpelanca për Durana Park – Ministrja Ibrahimaj: Nuk është parajsë fiskale dhe as shpikje shqiptare, por…
Në seancën e sotme plenare po zhvillohet interpelanca e kërkuar me ministren për Ekonominë dhe Inovacionin Delina Ibrahimaj, nga kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj, lidhur me projektin “Durana Tech Park”.
Në këtë seancë, Shehaj fillimisht u ankua pse ishte Ibrahimaj në këtë interpelancë dhe jo ministri i Financave Petrit Malaj. Megjithatë vazhdoi të ngrinte akuza lidhur me çështjen e projektit të “Durana Tech Park”, duke thënë se dy të tretat e bizneseve që kanë aplikuar ishin të të njëjtit biznesmen.
Fillimisht Ibrahimaj i sqaroi Shehajt se përse ishte ajo në interpelancë dhe jo ministri Malaj: “Para se të flas për këtë, dua t’i them zotit Shehaj që ky është një projekt që prek zhvillimin ekonomik, është një projekt që është në fushën përgjegjësisë së MEKI-së, dhe kjo është arsyeja pse interpelancën po e bëj unë dhe jo ministri i Financave, i cili ka detyrë çështje fiskale. Ka një komponent të politikës fiskale që është brenda këtij projekti, por në masë ky është një projekt që lidhet me zhvillimin ekonomik. Megjithatë, ju keni qenë deputet 5 vite dhe tash këto gjëra duhet t’i keni të qarta; nuk janë të qarta, ndaj ndalova këtu për t’i shpjeguar se si janë fushat e përgjegjësisë së secilit ministër, dhe kjo është arsyeja pse jam caktuar unë për të bërë këtë interpelancë.”
Më pas ministrja Ibrahimaj sqaroi se çfarë ishte projekti “Durana Park”, duke theksuar se fokusi është tërheqja e investimeve të huaja dhe zhvillimi i bizneseve shqiptare.
“Lejoni t’ju shpjegoj çfarë është Durana dhe si ka lindur Durana, si dhe çfarë janë parqet teknologjike. Kam pasur rastin të jem pjesë e ideimit të këtij projekti që në krye të herës. Projekti i zhvillimit të parqeve teknologjike është projekt i miratuar me ligj në vitin 2022, me Ligjin nr. 58. Objektivi në atë kohë për miratimin e këtij ligji ishte i qartë: të krijojmë një zonë të lirë ekonomike si çdo zonë tjetër e lirë ekonomike në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, me qëllim të tërheqjes së investimeve të huaja dhe zhvillimin e investimeve vendase, tërheqjen e investimeve që sjellin punë të kualifikuar për ata që investojnë në Shqipëri, vendosin të jetojnë në Shqipëri, por edhe për shqiptarët që marrin ato kualifikime në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe informacionit. Kjo është një mundësi ligji i hap rrugën krijimit të parqeve si një mundësi për të pasur më shumë punë të mirëpaguar, si një mundësi që nxjerr zhvillimin e ekosistemit të inovacionit, si një mundësi që nxit zhvillimin ekonomik.
Qeveria ka pasur që në fillim qëllim ndryshimin e modelit ekonomik, për një model ekonomik që nxit produktivitetin dhe inovacionin, përdorimin e teknologjive të reja, dhe kjo ka qenë arsyeja dhe motivi që ne paraqitëm në vitin 2022 në Kuvend. Ju keni qenë deputet dhe miratuam projektligjin për krijimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore.”, tha Ibrahimaj.
Më pas ministrja shtoi se parqet teknologjike nuk janë “shpikje shqiptare” dhe përmendi si shembull rastin e Moldavisë, ku projekte të tilla kanë sjellë investime të huaja direkte.
Ibrahimaj tha se modeli i operimit është hibrid: përdoruesit mund të operojnë brenda parkut fizikisht ose në mënyrë virtuale jashtë parkut. Ky është një model institucional i qartë: Albanian Investment Corporation ushtron rolin e zhvilluesit, ndërsa Durana Tech Park sh.a. menaxhon funksionimin e përditshëm, shërbimet ndaj rezidentëve dhe zhvillimin e ekosistemit.
“Gjatë vitit 2025, parku ka operuar në fazën virtuale, siç ishte parashikuar në kontratë dhe marrëveshje. Kjo fazë është menduar dhe arsyetuar për të ndërtuar besueshmëri institucionale, testuar proceset administrative dhe verifikuar interesin e tregut për parkun, para ndërtimit të infrastrukturës fizike.”, shtoi ministrja.
Më pas, Ibrahimaj iu përgjigj akuzave të Shehajt lidhur me bizneset e regjistruara.
“Aktualisht, janë 80 rezidentë, nga të cilët 57 kanë finalizuar kontratën dhe pjesa tjetër është në proces regjistrimi dhe licencimi. 52% janë me kapital të huaj dhe 48% me kapital shqiptar, duke reflektuar interesin ndërkombëtar dhe zhvillimin e sipërmarrjes vendase. Dua të sqaroj edhe për teorinë e ‘parajsës fiskale’: Durana nuk është parajsë fiskale. Subjektet që marrin statusin e përdoruesit regjistrohen sipas legjislacionit shqiptar, deklarojnë pronarët dhe përfituesit dhe monitorohen nga organet tatimore. Lehtësirat fiskale janë stimuj për sektorët prioritare dhe inovacionin shkencor, jo për evazion apo shmangie tatimore.
Performanca e vitit 2025: nga 52 kompani të regjistruara, 27 ende nuk kanë nisur faturimin, gjysma nuk kanë nisur për arsye kohe dhe natyrë të projekteve inovative që kanë nevojë për fazë inkubimi. Numri real i kompanive që kanë përfituar nga lehtësirat fiskale gjatë vitit 2025 është 5. Nga këto, 3 janë shqiptare dhe 2 janë të huaja. Pa operuar brenda parkut, ato do të kishin paguar 37 mijë e 616 euro tatimfitim jashtë parkut, ndërsa duke operuar brenda parkut kanë paguar 59 mijë e 938 euro, duke treguar se shteti ka fituar dhe nuk ka humbur. Konkluzioni për zotin Shehaj: Teoria e evazionit dhe parajsës fiskale nuk qëndron. Këtu shteti ka ndërtuar një strukturë që funksionon dhe që monitoron aktivitetin ekonomik, brenda parimeve ligjore dhe ndërkombëtare.”, theksoi ministrja Ibrahimaj.
Durana Tech Park paraqet një model të ri zhvillimi për ekonominë shqiptare, duke kombinuar incentivat fiskale me fuqinë e bashkëpunimit dhe inovacionit, me synimin për të kthyer Shqipërinë në një magnet për teknologjinë e lartë në rajon.
Aktualisht, Durana Tech Park numëron 55 rezidentë, ndërsa 25 të tjerë pritet t’i bashkohen komunitetit në vijim. Ministrja konfirmoi angazhimin e qeverisë për të vijuar investimet në këtë projekt strategjik dhe për të forcuar bashkëpunimin mes qeverisë, akademisë, institucioneve të zhvillimit territorial dhe komunitetit të startup-eve.
Fraksion.com

