AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali pret krerët e delegacioneve pjesëmarrëse në ministerialin e Korridorit VIII

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mirëpret sot Ministerialin e Korridorit VIII, me fokus avancimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka mikpritur krerët e delegacioneve pjesëmarrëse në Ministerialin e Korridorit VIII, projektit strategjik për ndërlidhjen, sigurinë dhe ekonominë që shndërron gjeografinë në mundësi.

Në këtë ministerial marrin pjesë delegacionet e kryesuara nga Antonio Tajani, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Italisë; Timčho Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut; Nikolay Pavlov, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë; si dhe ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Octavian Şerban.

Sesioni ministror nis në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave dhe drejtohet nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

Diskutimet do të fokusohen në avancimin e Korridorit VIII si një bosht strategjik për ndërlidhjen europiane, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal, duke forcuar njëkohësisht rolin e tij në qëndrueshmëri, mobilitet ushtarak dhe ndërveprueshmëri midis Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Ministeriali organizohet në katër panele. Dy panelet e para do të trajtojnë vizionin politik mbi prioritetin europian për zhvillimin ekonomik dhe rolin e Korridorit VIII si katalizator i ndërlidhjes së qëndrueshme dhe rritjes së gjelbër. Një panel i tretë do të fokusohet në dimensionin gjeopolitik të Korridorit VIII, ndërsa paneli i fundit do të trajtojë çështjet e financimit të këtij projekti strategjik.

Aktiviteti përfshin fjalët e hapjes nga ministrja Spiropali, të pasuara nga fjalimet e përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse. Në orën 11:00 do të realizohet fotoja familjare, e ndjekur nga pushimi për kafe dhe takime bilaterale.

Konferenca për shtyp do të mbahet në orën 11:35 në Sallën Nr. 1, ndërsa ministeriali do të përmbyllet me një drekë zyrtare të organizuar nga ministrja Spiropali në Sallën e Bibliotekës në Pallatin e Brigadave.

Korridori VIII konsiderohet një projekt strategjik për ndërlidhjen, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik, që synon të shndërrojë gjeografinë e rajonit në një mundësi konkrete për integrim dhe rritje të qëndrueshme.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com