“Ka shumë fajtorë që mbajnë pozicione të mira”, Robert Bosch: Gjykata Speciale u krijua nga shërbimi sekret serb!
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, në një lidhje direkte me “Rreth e qark” në A2CNN, deklaroi se nuk ka qenë personalisht dakord me Gjykatën Speciale, pasi, sipas tij, ajo u krijua me mbështetjen e shërbimeve sekrete serbe.
“Kur isha ambasador, duhej ta mbështesja Gjykatën Speciale sepse ashtu më thonte qeveria ime, por personalisht nuk e mbështesja sepse ishte e bazuar te raporti i Dick Marty, që ishte me mbështetjen e shërbimeve sekrete serbe, dhe Marty vendosi ta vinte në përdorim dosjen. I gjithë procesi ishte i bazuar në akuza për trafikim organesh në të ashtuquajturën shtëpi e verdhë në veri të Shqipërisë. Unë nuk isha dakord, pasi EULEX-i dhe UNMIK-u kishin hetuar dhe kishin dalë në përfundim që nuk kishte asnjë vlerë, por Këshilli i Europës bëri presion për hetim të mëtejshëm. Nuk ka gjë të keqe sepse heton, por ajo që nuk shkon ishte se kur gjykatësi Williamson vërejti se kjo ngjarje nuk ishte e vërtetë, duhet të ishte ndalur si proces”, tha Bosch.
“Nuk qëndron që UÇK-ja ishte organizatë kriminale, pasi nuk ishte e organizuar. Edhe zoti Hill, që mbahet si proserb, tha që nuk është e vërtetë që UÇK-ja ishte e organizuar”, shtoi ish-ambasadori.
Ish ambasadori Bosch tha gjithashtu ka folur edhe për Euronews Albania mbi procesin gjyqësor të mbajtur në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Bosch, i cili mbajti një fjalim në protestën e së dielës në Hagë në mbështetje të Thaçit, theksoi se ngritja e kësaj gjykate është perceptuar jo si një përpjekje e sinqertë për drejtësi.
“Unë kam qenë i përfshirë që në 2010-tën, dhe gjatë luftës kemi bërë gjithçka më ndërkombëtarët për të sjellë paqe, kemi pasur negociata në Kosovë edhe kur u bënë zgjedhjet në Serbi dhe jemi përpjekur të zgjedhim rrugën e duhur. Tashmë e dimë që Vuçiç nuk është miku ynë në Europë por i Rusisë dhe Kinës”, tha Bosch.
Sipas tij, Kosova vazhdon të mbajë barrën e përgjegjësisë për marrëveshjen me Serbinë, dhe theksoi se shumë individë përgjegjës për krimet e viteve ’90 sot mbajnë pozita të rëndësishme në Serbi.
“Kosova këtu fajësohet gjithmonë sa i takon marrëveshjes me Serbinë. E gjithë kjo gjykatë ishte pjesë e kësaj marrëveshje, ne krijuam de facto për serbët. Në një raport që nuk besoj se e ka lexuar njeri, ka një pikë të rëndësishme sa i takon krimeve të kryera nga Thaçi supozohet, shkruhet që të gjitha krimet janë kryer nga serbët dhe asnjë serb nuk akuzohet nga kjo gjykatë.
Ka shumë fajtor që mbajnë pozicione të mira ndërkohë që kanë qenë kriminelët kryesorë në vitet 90’. Nuk është një gjykatë objektive por është një gjykatë për ti shërbyer Serbisë”, shtoi ish-ambasadori i Hollandës në Kosovë, Robert Bosch.
Fraksion.com

