AktualitetTë fundit

Moti i keq, Prefektura e Shkodrës: Shkarkime në kaskadën e Drinit, ujë në tokat bujqësore

Prefektura e qarkut Shkodër në një përditësim të situatës për shkak të motit të keq, njofton se kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.

Sipas njoftimit, që prej orëve të pasdites së djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të liqenit të Shkodrës.

Në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, pa rrezik për banesat deri në këto momente.

Prefektura Shkodër bën me dije se aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar kalimin për mjetet e vogla.

Prefektura Shkodër informon se në terren ndodhen dy mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë të Forcat e Armatosura, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.

Aksi Bogë-Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore, Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të ortekëve. Po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e rrugës.

Gjithashtu, sipas njoftimit në aksin Hani i Hotit – Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 m, qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.

Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika.

Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin në terren dhe mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të situatës, duke garantuar koordinim të plotë për sigurinë e qytetarëve.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com