AktualitetPolitikëTë fundit

“Të hënën depozitojmë ndryshimet ligjore”, Berisha për Ramën: Protestë më 20 shkurt. Është i tmerruar, po kërkon mburojë për veten

Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, tha sot se kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të krijojë një mburojë ligjore për të shmangur pezullimin ose ndjekjen penale.

Në një videomesazh, Berisha komentoi deklaratën e Ramës për “funksione të padelegueshme”, duke theksuar se ligji parashikon delegimin e kompetencave dhe se vendime të shumta janë firmosur nga zëvendësministra me autorizim.

“Sot, në monologun e tij të mashtrimit, Edi Rama lëshoi gënjeshtrën e radhës. Ai u tha qytetarëve se paska funksione të padelegueshme. I tmerruar nga ultimatumi i Brukselit, nga anulimi i të gjitha takimeve që kishte në Mynih, ai përsëri, njëlloj si i mbyturi, kapet me fijen e barit. Po bën përpjekjen e fundit për të krijuar një mburojë ligjore ndaj vetes së tij. Cilido që dëgjoi Edi Ramën të flasë për funksione të padelegueshme, për të kuptuar se ai gënjeu, jo njëherë, por gënjeu qindra herë vetëm për funksionin e kryeministrit”, tha Berisha.

Sipas tij, “në arkivin e Këshillit të Ministrave, janë jo me dhjetëra, por me qindra vendime të firmosura me autorizimin e tij nga zëvendës-ministrat përkatës, sipas kohës.
Por, përveç kësaj, ky është një përcaktim ligjor, i cili e lejon kryeministrin të autorizojë zëvendësin e tij për të firmosur”.

Së dyti, vijoi Berisha, vetë Kushtetuta ka parashikuar zëvendësimin, delegimin. Në rast se presidenti i Republikës fluturon, shkon jashtë vendit, zëvendësi i tij është kryetari i parlamentit, me Kushtetutë. Në rast se ministri nuk është, me autorizim të tij zëvendësohet nga zëvendësministri, i cili firmos për ministrin.

Berisha paralajmëroi se më 20 shkurt qytetarët do të mbushin sheshet dhe rrugët e Tiranës për të kundërshtuar, siç tha ai, “narko-regjimin e Edi Ramës”.

Ai akuzoi Ramën për përpjekje për të mbrojtur veten nga përgjegjësitë ligjore dhe i cilësoi protestuesit si “misionarët e shpëtimit të Shqipërisë”.

Berisha shtoi se amendamenti i propozuar nga Rama në parlament synon të krijojë një imunitet të posaçëm për kryeministrin, duke kundërshtuar kështu mekanizmat ligjorë të kontrollit dhe ndjekjes penale.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com