“SPAK kërkon arrestimin e Ballukut”, nisma e PS për ndryshimet ligjore, Manja: Qëllimi, garantimi i funksionimit normal të institucioneve.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Ulsi Manja, prezantoi ndryshimin ligjor sa i përket nismës mbi imunitetin e ministrave.
“Ne propozojmë që në pikën dy të shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilëve s’mund të jepet masa e pezullimit nga detyra. Ky rreth subjektesh shtohet me Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv.kryeministrin, ministrat.
Duhet të bëjmë të qartë dallimin ndërmjet masave. Bëhet dallimi mes masave shtrënguese dhe atyre ndaluese. Masat shtrënguese janë masa sigurimi personal që kufizojnë lirinë individuale. Këto masa prekin drejtpërdrejt lirinë personale. Masat ndaluese kanë karakter funksional.
Ndryshimi që ne propozojmë nuk cenon kompetencën e gjykatës për caktimin e tyre sipas ligjit; ndërhyrja që propozojmë është proceduriale. Pra, ne nuk i prekim dispozitat kushtetuese dhe nuk shtojmë privilegje individuale. Subjektet mbeten të hetueshme dhe të prekshme penalisht.”, u shpreh Ulsi Manja.
Fraksion.com

