Rama: Ia kam refuzuar tri herë dorëheqjen e Ballukut, qeveria nuk ndryshon me vendim gjyqtari paraprak
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i ka dorëzuar tri herë dorëheqjen, por që nuk ia ka pranuar.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit, ku u prezantua nisma ligjore për forcimin e kufirit të pakalueshëm që ndan gjyqësorin nga pushtetet e tjera kushtetuese dhe ndalon pezullimin e funksioneve kushtetuese, Rama u shpreh se dorëheqja e Ballukut është refuzuar në çdo rast.
Sipas tij, dorëheqja është paraqitur herën e parë kur u ngrit akuza, herën e dytë pas pezullimit të parë dhe herën e tretë pas një vendimmarrjeje të Gjykatës, por në të tre rastet ai ka vendosur të mos ia pranojë.
Kryeministri theksoi se nuk mund të pranojë një dorëheqje të dhënë nën presion, duke shtuar se “presioni nga një fuqi që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv” nuk mund të diktojë vendimmarrjen e tij.
Rama u shpreh se do të vijojë të mos e pranojë dorëheqjen deri në plotësimin e kushteve që, sipas tij, garantojnë respektimin e ndarjes së pushteteve dhe të parimeve kushtetuese.
“Balluku më ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. I kam atje në dosje, tri herë. Një herë kur u ngrit akuza, herën e dytë kur u bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim. Dhe të tri herët jam unë që e kam refuzuar dorëheqjen, sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk ka”, tha ai.
Rama tha se ishte falenderues ndaj Ballukut, për faktin që nuk ka këmbëngulur po ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë mbi fytyrë.
Fraksion.com

