Nisma ligjore e PS për pezullimet, “Shkarko Ballukun, s’e pranojmë në qeveri”, Berisha: Ramës ia plasën në sy ndërkombëtarët, i dhanë karton të kuq
Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi se Ramës iu nxorr karton i kuq nga ndërkombëtarët, duke marrë parasysh skandalet qeverisëse.
“U jemi shumë mirënjohës partnerëve të cilët të befasuar nga qëndrimi i Edi Ramës de facto, një vetakuzë e plotë për veten e tij, bën një reagim të shpejtë dhe të fuqishëm.. Nuk mund të kishte reagim më emergjent dhe të fuqishëm se sa Edi Rama të thirrej nga nr.1 i BE-së, dhe t’i nxirrej kartoni i kuq. Ata i thanë se nuk e toleronin. Ky është mesazhi i Brukselit. I thanë; shkarkoje menjëherë lubinë, dhe nuk mund ta pranojmë atë në qeveri, ajo do të largohet si hajdute. Në Mynih ia përplasën në surrat. Merreni dhe lexoni editorialin e datës 19 janar, nga Baton Haxhiu.”, tha ai.
Në konferencën me gazetarët nga selia e Partisë Demokratike, Berisha tha se “pezullimi i zyrtarëve nga detyra për keqbërjen e tyre ndaj qytetarëve, është një nen, është një ligj, është një e drejtë ligjore kushtetuese e prokurorisë, e institucionit të akuzës të çdo vendi”.
“Është një e drejtë që ligjvënësit u kanë njohur prokurorëve dhe gjykatësve për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga keqbërësit zyrtarë të lartë. Është një e drejtë e institucionit të akuzës dhe gjykatave, e sanksionuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, konkretisht nenit korrespondues të nenit 224 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë”, tha Berisha.
Sipas kreut të PD-së, pezullimi nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend, por nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve të zyrtarëve më të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur.
“Pezullimi, përkundrazi synon mbrojtjen e institucioneve, mbrojtjen e legjitimitetit të tyre, integritetit të tyre, funksionimit të tyre në përputhje me ligjin”, deklaroi Berisha.
Nga konferenca me gazetarët, Berisha u bëri thirrje autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, të hetojnë qëndrimin kërcënues, sipas tij, të Kryeministrit Edi Rama ndaj gjykatësve kushtetues.
“Të hetohen të gjitha telefonatat e tij të bëra edhe pas mesnate, kërcënimet e tmerrshme që u janë bërë gjyqtarëve që të votojnë për rrëzimin e anulimit. Janë lehtësisht të gjetshme, ndaj dhe kërkoj hetimin me urgjencë, marrjen e tabulateve të numrave të të gjithë familjes së tij”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se “Kushtetuta e Shqipërisë nuk njeh asnjë funksion të padelegueshëm”.
“Ndaj dhe jep dorëheqjen më mirë! Unë të kuptoj dhe po të ndjekim me shumë vëmendje. Po bën gjithçka… por të garantoj se asgjë në botë nuk të shpëton dot ty nga verdikti i shqiptarëve”, përfundoi Berisha.
Fraksion.com

