Në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale, ekstradohen 3 shtetas nga Danimarka, Franca dhe Italia
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët evropianë për ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të tre shtetasve që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar.
Policia njofton se u ekstradua nga Danimarka, shtetasi D. M. alias D. Ç. alias O. C., 28 vjeç, i lindur në Elbasan.
”Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Elbasanit, me vendimin e datës 18.07.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, thuhet në njoftim.
Policia informon se shtetasi D. M. ka qenë i dënuar nga Gjykata e Kristiansand, Norvergji, me 13 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, si pjesë e një organizate kriminale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Mbi bazën e materialeve të dërguara nga autoritetet norvegjeze dhe nga hetimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kanë rezultuar pasuri (prona) të pajustifikuara në emër të tij dhe të familjarëve së tij.
Gjithashtu, Policia bën me dije se u ekstradua nga Franca, shtetasi Ch. R., 25 vjeç, i lindur në SHBA.
Sipas Policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 05.11.2024, e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në muajin qershor 2024, në aeroportin e Rinasit, gjatë kontrollit me skaner, në valixhet e këtij shtetasi janë gjetur 2 armë të ftohta (thika metalike).
Policia e Shtetit, në njoftim bën me dije se u ekstradua nga Italia, shtetasi G. M. alias G. H., 39 vjeç, i lindur në Berat.
Policia cilëson se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 13.07.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.
Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Farksion.com

