“Të duash është guxim”, Alketa Vejsiu mban fjalimin dedikuar dashurisë
Në prag të ditës së të dashuruarve, “X Factor Kids” ishte ndryshe, duke na ftuar të reflektojmë mbi atë që shpesh harrojmë: guximin në dashuri. Moderatorja Alketa Vejsiu, me fjalë që prekin shpirtin, kujton se dashuria nuk është thjesht tullumbace, çokollata në formë zemre apo një “Të dua” e thënë një herë në vit.
Dashuria e vërtetë nuk matet me data apo numra, por me pafundësinë që ndjejmë brenda saj. Ajo është marrëzi, obsesion, një rrezik i bukur, një udhëtim ku guximi është karta e hyrjes.
Në këtë Shën Valentin, Vejsiu nuk na fton të kërkojmë dashuri perfekte, por të zgjidhim dashuri të vërtetë, atë që na rrit, na bën të ndjehemi të lirë dhe na mëson të jetojmë plotësisht. Dashuria, siç thotë Alketa Vejsiu, nuk është thjesht një emocion, por një forcë që na ndryshon, që na thyen dhe na rindërton, që na çon përtej frikës dhe na bën guximtarë. Kjo është dashuria që festohet çdo ditë, për të gjithë ata që nuk kanë frikë të bien, të ngrihen dhe të jetojnë zemrën e tyre deri në fund.
“14 Shkurti është Dita e Dashurisë, por jo thjesht e asaj fantazisë romantike, tek e cila, të zhgënjyer shumë njerëz e kanë humbur besimin që mund ta gjejnë dhe jetojnë. Shën Valentini nuk është dita e tullumbaceve dhe çokollatave në formë zemre, as një kambanë që na kujton të themi ‘Të Dua’, një herë në vit. Dashuria nuk është një datë në kalendar, është një vend ku koha nuk ka kohë, që quhet zemër. Dashurinë e vërtetë nuk e përcakton asnjë numër, asnjë njësi matëse. I shkon veç infiniti, pafundësia. Ka diçka më të bukur se vetë dashuria si emocion, të cilën duhet në fakt që të celebrojmë sot, guximin në dashuri.
Është një skenë filmi, ku Anthony Hopkins në rolin e babait nuk po i mëson vajzës që të jetë e kujdesshme në dashuri, por po i mëson se si të ndjehet e gjallë, ai i thotë në thelb këtë fjali: nëse e kalon jetën pa rënë kurrë vërtet në dashuri, mund të kesh mbijetuar, por nuk ke jetuar vërtet. Dashuria është marrëzi, është obsesion, është një person pa të cilin nuk jeton dot. Bjer në dashuri kokë e këmbë, se nëse nuk e ke bërë këtë udhëtim nuk ke jetuar. Dashuria e vërtetë është trimërore, ata që guxojnë t’i ndjejnë të gjitha emocionet dhe të shkojnë në Hënë për të mos u kthyer pas, me një biletë një drejtimshe. Janë ata që kanë jetuar me të vërtet, kanë jetuar të lumtur, kanë jetuar bukur, janë ata që kanë refuzuar zonën e komfortit, të jetuarit në kompromis, ata që nuk kanë dashur të jetojnë për botën, por për të vërtetën e shpirtit të tyre.
Është trimëri të pranosh që do dikë, sidomos kur era të fryn kundër. Është trimëri të tregosh te njeriu që dashuron, lëkurën tënde pa filtra në mëngjes, kur zgjohesh me flokët rrëmujë nga gjumi dhe të kesh një pasqyrë që të thotë çdo ditë ‘je e bukur edhe kështu, të dua siç je’. Kërkon një zemër të madhe të thuash të dua deri në thinjën dhe rrudhën e fundit, do të jem me ty jo vetëm në momente të bukura, por edhe në kohë të vështira, kur dhimbjet e jetës bëhen të pamëshirshme për secilin nga ne.
Kërkon guxim të duash pa lojë dhe strategji, pa bërë sikur nuk të intereson njeriu që do më fort, që në fakt ta lëviz ndryshe limfën. Është trimëri të thuash ‘unë të zgjedh ty’, duke qenë me ty dhe prapë të mbetesh një njeri i plotë. Është mungesë guximi të duash një njeri pa e zgjedhur, nga frika. Nga frika shumë jetë kanë kaluar dëm, janë humbur shanse lumturie. Por, në anën tjetër të frikës është guximi dhe në anën tjetër të guximit është gjithmonë lumturia. Jim Henson thoshte: ‘Ekspozohu ndaj frikës më të thellë dhe frika një ditë nuk do të ketë më fuqi mbi ty’. Të duash vërtetësisht do të thotë që të kesh parë jo vetëm trupin, por shpirtin e dikujt lakuriq, t’i puthësh lotët, t’ia njohësh çdo plagë dhe vragë, t’ia dish frikërat dhe demonët dhe sërish ta duash. Do të thotë që dikush të të japë plotësisht pushtetin mbi zemrën e tij dhe ti mos ta vrasësh, mos ta lëndosh.
Unë sot nuk po iu uroj që të gjeni një dashuri perfekte, asnjërit nga ju, por uroj që të zgjidhni dhe të uroni një dashuri të vërtetë. Një dashuri që nuk të zvogëlon, një dashuri që të zbut pa të bërë më të vogël, një dashuri ku zemra jote nuk ka nevojë që të lutet për të qenë e sigurt. Një dashuri që të bën të ndjehesh i lirë, ku forma më e lartë e intimitetit është fjala dhe kujdesi. Shën Valentini nuk është vetëm një datë, por është dashuria për guximtarët 365 ditë në vit. Gëzuar Shën Valentinin të gjithë guximtarëve”, tha Vejsiu.
Fraksion.com

