AktualitetTë fundit

“U fut në ambientet me kamera të FiBank i pa maskuar”, policia: B.F me armë zjarri automatik ka marrë 800 000 lekë

Policia e Tiranës ka dhënë detaje nga grabitja e djeshme në një bankë të Nivelit të Dytë, ku një 61-vjeçar hyri i armatosur dhe mori një sasi lekësh.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi Bardhyl Fusha ka arritur të marrë 8 milionë lekë të vjetra nga dega e FiBank.

Në njoftimin e sotëm të policisë së kryeqytetit, sqarohet se Fusha ka hyrë në këtë bankë me armë zjarri automatik, dhe pasi ka kërcënuar punonjësit e institucionit financiar, ka grabitur paratë.

Ai u vu në pranga sapo doli nga dera e bankës, pasi patrulla e policisë ishte sinjalizuar nga punonjësit. Sapo policia i bëri thirrje për t’u dorëzuar, Fusha hodhi armën dhe çantën me para dhe pa asnjë rezistencë iu bind efektivëve.

Dyshohet se Bardhyl Fusha, me origjinë nga Librazhdi, ishte një sipërmarrës në fushën e ndërtimit që operonte në Tiranë, ku dhe jetonte, por vitet e fundit është përballur me probleme të mëdha financiare.

Për skenarin e grabitjes ai ‘nuk u investua shumë’, pasi u fut në ambientet e monitoruara me kamera, i pa maskuar.

Ai dyshohet se është proceduar edhe disa herë të tjera, pasi është akuzuar nga klientë se u ka para të pashlyera. Duket se borxhet kanë qenë shkak që ai të ndërmerrte këtë akt, i cili e çoi pas hekurave.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës dhe Jetës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, vunë në pranga shtetasin B. F., 61 vjeç, pasi dje, në rrugën “Muhedin Llagami”, ka hyrë në ambientet e një banke, me armë zjarri automatik, dhe ka marrë 800 000 lekë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe shuma e parave të vjedhura.”, thotë policia.

 

Fraksion.com

 

 

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com