“Ka pasur urdhër për arrestimin e të rinjve në protestë”, Berisha: 3 persona u goditën nga snajperë, mund të mos ishin sot!
Berisha deklaroi se, sipas tij, ka pasur urdhra për arrestimin e të rinjve gjatë protestës, por paralajmëroi se kjo nuk do të ndikojë në zbehjen e pjesëmarrjes. “Urdhri ka qenë të arrestohen të rinj, por ju siguroj se protestën tjetër do të jetë dyfishi i të rinjve. Zemërimi i të rinjve është i pakufijshëm”, u shpreh ai.
Sipas tij, protesta është thirrur për opozitarët dhe demokratët, duke nënvizuar se forca e saj nuk qëndron tek dhuna. “Forca jonë nuk është dhuna. Ne tmerrojmë. Kjo është kryengritje paqësore”, deklaroi Berisha, duke shtuar se protestuesit nuk shkojnë për të qëlluar policët, por për të shprehur zemërimin ndaj kryeministrit dhe qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për, siç u shpreh, përdorim të dhunës ndaj protestuesve. Berisha pretendoi se disa qytetarë janë qëlluar në kokë gjatë protestës, duke përmendur me emër Ilir Tushin, Dem Dollapin dhe Luan Lleshin, si dhe një zonjë që sipas tij është plagosur në krahë. “Këta të tre u goditën në kokë, të tre mund të mos ishin sot”, tha ai.
Ai e cilësoi situatën si një “fushëbetejë” politike, duke deklaruar se opozita do ta fitojë këtë përballje. “Ne çdo betejë që kemi nisur e kemi fituar, tani do fitojmë luftën”, tha Berisha.
Në fund, ai shtoi se protesta e 10 shkurtit ka pasur jehonë ndërkombëtare, ndërsa përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Rama, duke e akuzuar për korrupsion dhe abuzime me pushtetin.
“Keni parë jehonë të jashtëzakonshme për protestën e 10 shkurtit nga rrjetet televizive të botës, duke nxjerrë para ekraneve fytyrat e urryera të Belinda Ballukut dhe Edi Ramës. Edi Rama, gjersa ne t’i tregojmë vendin në mënyrë përfundimtare ai nuk ikën se ka tmerr sepse absolutisht në qindra firma ka vetëm krim, vjedhje. Asgjë tjetër”, tha ai.
Fraksion.com

