AktualitetPolitikëTë fundit

Arrestimi i gazetarit, PD: U godit struktura që sulmonte opozitën dhe shantazhoi Këlliçin

Partia Demokratike reagoi sot pas arrestimit të gazetarit E. L., i cili shantazhoi një punonjës të administratës publike për t’i marrë 5000 euro, që të fshinte nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të.

PD theksoi se “një rrjet shantazhuesish dhe gjobvënësish, që pozojnë si gazetarë dhe drejtojnë portale nën urdhrat dhe me paratë e qeverisë dhe krimit të organizuar, ka marrë një goditje të merituar sot”.

Sipas PD-së, gazetari i arrestuar “ishte i angazhuar prej dy vitesh në shantazhe, shpifje e linçim ndaj deputetit demokrat Belind Këlliçi dhe një ish-anëtari të Këshillit Kombëtar të PD”.

Partia Demokratike përshëndet çdo veprim të ligjit që shkon kundër mashave të krimit të organizuar, të lidhura me qarqet e pushtetit.

“Ne dënojmë me forcë çdo akt kërcënimi që ka shoqëruar arrestimin e gjobaxhiut në fjalë nga elementë të lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi, që kërkojnë të hakmerren dhe t’i bëjnë presion policisë për një arrest të kryer mbi prova të siguruara në mënyrë operative”, thuhet në njoftimin e PD-së.

PD nënvizoi më tej se “një rrjet portalesh me emra të çuditshëm, që shpjegojnë edhe pronarët dhe qëllimet e tyre, kanë formuar një orkestër sulmi kundër deputetit Këlliçi dhe ish-anëtarëve apo zyrtarëve tanë.

Çdo sulm, çdo shantazh, çdo shkelje e ligjit, të shënohet dhe do të marrë përgjigjen sipas të gjitha prerogativave që lejon ligji”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com