AktualitetTë fundit

SPAK dërgon për gjykim ish-kryetarin e bashkisë Memaliaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë ish kryetarin e bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, i akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Gjithashtu, janë dërguar për gjykim Edmonda Harizi, ish-nënkryetare e bashkisë Memaliaj, Feta Hoxha, ish-drejtor i Shërbimeve Publike pranë bashkisë Memaliaj dhe Bersant Ylli, administrator i subjektit “Bersant Ylli”, të akuzuar për të njëjtën vepër penale.

SPAK njoftoi se hetimet nisën mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit më 28.10.2024 në lidhje me  “procedurën e prokurimit “Ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e vitit 2021, me autoritet kontraktor Bashkinë Memaliaj”.

Nga hetimet, SPAK bëri të ditur se “ka rezultuar se kryetari i Bashkisë Memaliaj, shtetasi Gjolek Guci, më 21 shtator të vitit 2020 ka nënshkruar kontratën e dhurimit me nr. 658/1 Prot., me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., të përfaqësuar nga administratori A.Sh. Ndërsa projekti për zbatimin e ndërtimit të ujësjellësit rajonal është miratuar nga Kryetari i Bashkisë Memaliaj”.

“Fondi për objektin, në vlerën mbi 493 milionë lekë (493.183.572), ishte ndarë në zëra për ndërtim, montim, drejtimin dhe kolaudimin e punimeve. Vlera e miratuar ishte e njëjtë me vlerën e kostove në projektin e dhuruar nga shoqëria “Artreum Generation”, nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit”, njoftoi SPAK.

Sipas SPAK pas analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli dhe titullari i autoritetit kontraktor (Bashkia e Memaliajt), shtetasi Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.

Gjithashtu, SPAK njoftoi se është pranuar nënkontraktimi me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i cili ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike dhe nuk plotësonte kriteret ligjore për nënkontraktor.

Në datë 28 janar 2026, është vendosur ndarja e procedimit penal për hetime të mëtejshme lidhur me zbatimin e kontratës, për të cilën kërkohet kryerja e veprimeve hetimore të mëtejshme.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com