Bardhi: Protestat do të vazhdojnë, asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin
Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se reagimi i kryeministrit Edi Rama për protestën e opozitës ishte si “të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë”.
Sipas tij, qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku.
“Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit”, shtoi Bardhi.
Bardhi nënvizoi më tej se është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin.
“Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotësjellës, as me shkopinj gome”, shkroi Bardhi në reagim.
Deputeti demokrat shtoi se “protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin”.
Sipas Bardhit, gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën pasi koha e tij po mbaron.
Fraksion.com

