“Akt kriminal dhe shkelje e së drejtës”, Lamallari nxjerr video: Punonjësit e policisë u përballën me dhunën e protestuesve!
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari i ka cilësuar sulmin ndaj efektivëve të policisë gjatë protestës së djeshme të opozitës si “një akt kriminal dhe shkelje të së drejtës legjitime për tubim paqësor”.
Lamallari ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shihen punonjësit e policisë të cilët u përballen me akte dhune nga protestuesit.
“Mirënjohje për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët për fat të keq, krahas mundimit të përditshëm për të ofruar më shumë siguri për qytetarët, u duhet të përballen me vetëpërmbajtje duke rrezikuar dhe jetën nga akte të tilla kriminale, të cilat janë një shkelje flagrante dhe e dënueshme e të drejtës legjitime për tubim paqësor”, thekson ai.
Ministri ka shprehur solidaritet me familjarët e punonjësve të lënduar dhe të gjithë ata të cilët “kanë ndjekur me ankth përmes medias se si prindërit, bijtë, bashkëshortët dhe vëllezërit e tyre rrezikuan jetën nga një sulm i nxitur dhe organizuar kriminal”.
Gjatë protestës së djeshme të opozitës para Kryeministrisë dhe parlamentit mbetën të plagosur 21 persona mes të cilëve 19 efektivë policie dhe që u dërguan për trajtim te spitali i Traumës dhe te Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Fraksion.com

