Protesta e PD tek Kuvendi, hidhen bomba molotov dhe lëndë piroteknike drejt policisë
Nuk ka vonuar përplasja mes protestueve dhe kordonit të policisë i vendosur në lulishten para godinës së Kuvendit të Shqipërisë.
Tensionet u rritën me hedhjen e molotovëve dhe lëndëve piroteknike drejt policisë, ndërsa policia ka reaguar duke hedhur gaz lotsjellës.
Tensionet u shënuan menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhej në podium në momentin kur disa protestues hodhën kokteje molotov në drejtim të forcave të rendit, të vendosura në kordon përpara Kryeministrisë. Si pasojë, u rrezikua siguria e efektivëve të policisë.
Protestuesit hodhën gjithashtu edhe fishekzjarre në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Në reagim ndaj lëndëve piroteknike, policia përdori ujë me presion përmes një autoboti, me qëllim shpërndarjen e protestuesve.
Protestuesit të shoqëruar edhe me deputetë të PD-së, u zhvendosën para Kuvendit. Ndërkohë, pranë godinës së Parlamentit kishte një prezencë të shtuar të forcave policore.
Pas disa minutave proteste paqësore para Kuvendit, protestuesit e opozitës hodhën molotovë të cilët shpërthyen në flakë si dhe lëndë piroteknike në drejtim të forcave të policisë të cilët kishin krijuar një kordon para hyrjes së parlamentit.
Në kundërpërgjigje, Policia e Shtetit reagoi duke shpërndarë protestuesit me autobote me ujë me presion si dhe me gaz lotsjellës.
Pas disa minutave, protestuesit të shoqëruar nga deputetët e Partisë Demokratike u rikthyen sërish para Parlamentit për të protestuar, por policia reagoi menjëherë duke i shpërndarë me ujë me presion dhe bomba zhurmuese për të shpërndarë protestuesit.
Kjo ishte protesta e tretë kombëtare e PD-së, në të cilën opozita kërkon largimin e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira.
Fraksion.com

