Opozita proteston para Kryeministrisë, Berisha: Shqipëria në kushtet më alarmante
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në nisje të fjalimit të tij tha se Shqipëria ndodhet sot në kushtet ndër më alarmantet. Ai u shpreh se demokratët janë mbledhur në shesh në “kryengritje paqësore”.
“Të dashur miq, zhvillimet e ditëve të fundit bëjnë që ne të mblidhemi sot në këtë shesh në këtë bulevard në kushte ndër më alarmantet. Ndofta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësore në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit. Më duhet të nis këtë fjalë me një shprehje që sot tingëllon më aktuale, më e rëndësishme se kurrë. Ata që harrojnë të shkuarën janë të dënuar ta përsërisin atë. Miqtë e mi, Shqipëria është një vend i bekuar”, u shpreh Berisha.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj po zhvillojnë sot protestën e dytë kombëtare për këtë vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë.
Një pjesë e protestuesve u grumbullua fillimisht pranë selisë së Partisë Demokratike, nga ku, së bashku me kryetarin Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së, marshuan drejt bulevardit për t’iu bashkuar protestës.
Në podiumin e ngritur përpara Kryeministrisë, pas këndimit të himnit kombëtar, eksponentë të Partisë Demokratike mbajtën fjalime para qytetarëve të pranishëm, duke shpalosur qëndrimet e tyre politike dhe kërkesat e protestës.
Në fjalën e tij nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj theksoi se protesta nuk është e zakonshme, por një reagim ndaj një sistemi që po i afrohet fundit.
“Sot nuk jemi mbledhur për një protestë të zakonshme, por jemi këtu sepse këtij sistemi palegjitimiteti po i afrohet fundit. Ky sistem ka shkelur çdo premtim, ka dhunuar votën e lirë, ka zgjatur jetën e vet përmes manovrave të padenja, duke shndërruar shtetin në instrument pushteti’, tha Gjekmarkaj.
Sipas tij, pushteti aktual po sakrifikon të ardhmen evropiane të vendit për interesat e veta dhe është gati “të grisë Kushtetutën përmes tiranisë së shumicës”. Gjekmarkaj nënvizoi se “kur drejtësia i nënshtrohet pushtetit, demokracia fillon dhe vdes ngadalë”.
“Korrupsioni u shndërrua në mënyrë qeverisje, shteti u mbyt nga babëzia. Jeta e përditshme e shqiptarëve është një kthim pas. Ne po sakrifikojmë për ëndrrën evropiane, ndërsa pushteti aktual është gati të sakrifikojë Evropën vetëm për të shpëtuar veten. Janë gati të grisin Kushtetutën nëpërmjet tiranisë së shumicës abuzuese. Kur drejtësia i nënshtrohet pushtetit demokracia fillon dhe vdes ngadalë. Sot janë sosur kufijtë e durimit kombëtar. Jemi këtu për të mbrojtur pluralizmin shtetin ligjor të ardhmen e fëmijëve tanë. Jemi këtu në këtë bulevard për t’i kthyer Shqipërisë mbi 1 dekadë jetë të grabitur”, tha Gjekmarkaj.
Deputeti i PD-së deklaroi se opozita ka një detyrë morale për të mbrojtur pluralizmin dhe shtetin ligjor, duke përfunduar se “demokracia nuk është dhuratë, por betejë” dhe se “koha për të reaguar është tani”.
Kryetari i opozitës në këshillin bashkia të Tiranës, Ilir Alimehmeti tha në fjalën e tij politikat e ndjekura nga qeveria po çojnë Shqipërinë drejt shpopullimit. Sipas Alimehmetit, mbi 1.6 milionë shqiptarë jetojnë sot jashtë vendit, ndërsa një në pesë qytetarë po mendon të largohet.
Ai e cilësoi këtë fenomen si pasojë direkte të qeverisjes aktuale. Alimehmeti theksoi se abuzimi me pasuritë publike nuk është vetëm çështje shifrash, por ka pasoja të drejtpërdrejta sociale.
“Është fakt që mbi 1.6 milionë shqiptarë sot janë jashtë Shqipërisë. Është fakt që 1 në 5 shqiptarë po mendon të largohet. Gjithë kjo për shkak të politikave që ndjek Edi Rama dhe Rilindja. Politika që bazohen në shpopullim dhe abuzim të pasurive publike”, tha ai.
Alimehmeti nënvizoi se largimi i qytetarëve është akuza më e rëndë që mund t’i bëhet një qeverie.
“Sot mund të flasim për dështimin e qeverisë, në luftën kundër korrupsionit, në shëndetësi, në arsim, në luftën kundër trafikut, por nuk ka akuzë më të madhe historike për një qeveri sesa populli kur ikën. Kur populli të largohet, të shkon rrugëve të botës, kjo është akuza më e madhe publike, shpopullimi i këtij vend”, tha ai.
Në tubim e morën fjalën edhe nënkryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Desada Xhetani, ish-kandidatët për deputetë të PD-së Aulon Kalaja dhe Xhonatan Pano.
PD kërkon largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.
Për të garantuar rendin publik dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tubimit, policia ka ndërmarrë masa, duke kufizuar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore.
Fraksion.com

