AktualitetKosovaTë fundit

Certifikohen zgjedhjet në Kosovë hapet rruga për qeverinë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi në mbrëmjen e 9 shkurtit rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit, duke i hapur rrugë kështu konstituimit të Kuvendit dhe më pas krijimit të qeverisë.

Pas trajtimit të të gjitha ankesave të paraqitura në Kosovë,  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi  mbrëmjen e 9 shkurtit rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit. Më këtë hapet rruga për konstituimin e Kuvendit të ri dhe më pas krijimin e qeverisë. Rezultatet u certifikuan për 24 subjektet politike garuese në zgjedhje dhe kandidatët e tyre, përfshirë edhe Listën Srpska. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se “Gjykata Supreme ka përfunduar me trajtimin e ankesave të parashtruara në këto institucione kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026 dhe nuk ka ndryshime”.

Verifikimi nuk cënoi votat për subjektet politike

Certifikimi përfundimtar i rezultatit të zgjedhjeve erdhi pas rinumërimit të plotë të votave për kandidatët, pasi u gjetën manipulime të mëdha në votat e kandidatëve për deputetë. Megjithatë, votat për subjekte politike nuk u cenuan. Dhjetëra komisionerë janë dërguar në paraburgim dhe ndaj tyre po zhvillohen procedura penale. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 57 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 ulëse. 10 ulëse janë siguruar nga pakicat jo serbe, ndërsa 10 ulëse të tjera nga serbët e Kosovës, nga të cilat vetëm për subjektin politik Lista Srpska që e ka mbështetjen e Beogradit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet, tash pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, hapi i radhës është seanca konstituive e parlamentit, data e së cilës akoma nuk është caktuar ende. Kjo seancë duhet të thirret nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, seancë e cila duhet të mbahet brenda 30 ditësh. Pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, ku sërish Presidentja duhet të mandatojë për kryeministër dikë nga partia fituese, në këtë rast LVV-ja.

Sfida e parë zgjedhja e presidentes/presidentit të ri

Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë së re në Kosovë duhet të kryhen në një kohë të shkurtër para datës 4 mars, kur duhet që parlamenti ta zgjedhë edhe presidenten apo presidentin e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani ka mandat deri më 4 prill dhe sipas Kushtetutës, presidenti i ri nuk mund të zgjidhet më vonë se 30 ditë para kësaj date. Vjosa Osmani tashmë është deklaruar se dëshiron edhe një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit, por, tash për tash, akoma nuk dihet nëse arrin të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në rast se deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti, vendi, sipas Kushtetutës, automatikisht shkon në zgjedhje të reja./DW

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com