Berisha: Rama ka vendosur ta shkëpusë Shqipërinë nga integrimi në BE
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë protestës së opozitës, se kryeministri Edi Rama nuk është mjaftuar duke vjedhur dhe përzënë shqiptarët. Sipas tij, kreu i qeverisë ka vendosur të shkëpusë Shqipërinë nga integrimi në BE.
“Ka katër mandate që Shqipëria po vidhet pa ndalim, vit pas viti. Edi Rama nuk mjaftohet vetëm duke vjedhur dhe përzënë shqiptarët. Ai tani pasi BE i tha se duhet të përballet me ligjin ka vendosur të shkëpusë Shqipërinë nga integrimi në BE. Revolta dhe largimi i tij është rruga për të mbrojtur ëndrrën europiane si ëndrra më e bukur e kombit tonë”, tha Berisha.
Sipas Berishës, Edi Rama është armiku më i rrezikshëm i shqiptarëve sepse kërkon t’u shkatërrojë shqiptarëve edhe traditat. Ai deklaroi se opozitarët do ta rrëzojnë me revoltë paqësore.
“Me revoltë paqësore ndaj një armiku që e ka çuar Shqipërinë në pikën më kritike të ekzistencës së saj”, u shpreh Berisha.
Kreu i demokratëve hodhi akuza ndaj Ramës se ka larguar edhe të rinjtë nga vendi që prej momentit që erdhi në pushtet.
“Edi Rama në 12 vite ka marrë përsipër misionin makabër të shpërbërjes së kombit tonë”, tha Berisha.
Fraksion.com

