Audiolajme | Politika Apeli i Berishës: Të marrim në dorë fatet e Shqipërisë në dorë më 10 shkurt!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sot thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës më datë 10 shkurt, në Tiranë.
Në një videomesazh përmes rrjeteve sociale, Berisha tha se qytetarët duhet “të marrim fatet në dorë të Shqipërisë, t’i qëndrojmë ligjeve dhe kushtetutës së vendit, si rruga e vetme e integrimit në BE si dhe për rivendosjen e shtetit ligjor, ligjit dhe Kushtetutës në Shqipëri”.
“Ditën e martë, secili prej jush proteston, shpreh revoltën në kryengritjen paqësore të opozitës, jo vetëm për vete, por për fëmijët e tij, për Shqipërinë, dhe si asnjëherë tjetër, për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së reagoi edhe ndaj deklaratë së kryeministrit Rama lidhur me vendimin e Kushtetueses për zëvendëskryeministren Balluku.
Sipas tij, Rama po injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po cenon shtetin ligjor dhe se “në rajon, në Europë dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra”.
“Ky vendim, do të jetë mesa duket vendimi më i paprecedentë që është marrë ndonjëherë në BE, sepse është absolutisht i paprecedentë qëndrimi dhe vendimi i Edi Ramës, për të asgjësuar shtetin ligjor me një grusht shteti, brenda shtetit”, u shpreh Berisha.
Fraksion.com

