AktualitetTë fundit

Merrnin para për të ndikuar tek drejtësia, dënohet ish-shefi i Krimeve në Tiranë dhe dy të tjerë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për një nga çështjet që lidhen me ndërhyrjen e paligjshme në sistemin e drejtësisë, ku ish-zyrtarë policorë dhe persona të tjerë akuzoheshin se merrnin para nga qytetarët për të ndikuar te funksionarë të drejtësisë me qëllim lehtësimin ose ndryshimin e masave të sigurisë.

Bëhet fjalë për procedimin penal nr. 177/1 të vitit 2025, në ngarkim të M.Gj., ish-shefit të krimeve në Tiranë E.D. dhe V.R., ndërsa më herët SPAK kishte dërguar për gjykim edhe S.M., E. (M) R. dhe K.M., si pjesë e të njëjtit grup kriminal.
Gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, ndërsa trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Rudina Palloj, Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi, me vendimin nr. 9, datë 05.02.2026, shpalli fajtorë tre të pandehurit kryesorë për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas GJKKO-së, të pandehurit kanë vepruar në bashkëpunim, duke përfituar shuma parash nga qytetarë të përfshirë në procese penale, me premtimin se do të ndikonin tek prokurorë, gjyqtarë apo funksionarë të tjerë të drejtësisë për lehtësimin e masave të sigurisë personale, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.

Dënimi i M.Gj.

Gjykata deklaroi fajtor M.Gj. për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, për episodin e parë. “Gjykata e dënon të pandehurin M.Gj. me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim”, thuhet në vendim.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi iu ul me një të tretën, duke u dënuar përfundimisht me 1 vit burgim, që do të jetë në një burg të sigurisë së zakonshme. Llogaritja e dënimit nis nga data e arrestimit, më 11.07.2025.

E.D. me dy episode ndikimi të paligjshëm

Ish-shefi i krimeve në Tiranë, E.D., u shpall fajtor për dy episode të veçanta të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

Për secilin episod, gjykata caktoi dënimin prej 2 vitesh burgim, ndërsa në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 të Kodit Penal, Dani u dënua me një dënim të vetëm prej 3 vitesh burgim. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, edhe atij iu ul dënimi me një të tretën, duke u dënuar përfundimisht me 2 vjet burgim.

Ndërkohë, GJKKO e shpalli të pafajshëm E.D. për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, duke argumentuar se fakti i paraqitur nga prokuroria “nuk përbën vepër penale”.

V.R., fajtor për dy episode

Gjykata shpalli fajtor edhe V.R., për dy episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, në bashkëpunim. Për secilin episod, dënimi fillestar ishte 1 vit e 6 muaj burgim. Në bashkim të dënimeve, ai u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, por pas uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u caktua 1 vit burgim.

Edhe për V.R, dënimi do të jetë në një burg të sigurisë së zakonshme dhe llogaritet nga data e arrestimit, 11.07.2025.

Gjykata vendosi që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore t’u ngarkohen të pandehurve të shpallur fajtorë, në mënyrë solidare, ndërsa ngarkoi SPAK-un për zbatimin e vendimit. Po ashtu, GJKKO thekson se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

Ky vendim konsiderohet një tjetër goditje ndaj fenomeneve të ndërhyrjes së paligjshme në sistemin e drejtësisë, ku ish-zyrtarë apo persona me lidhje në institucione shtetërore përpiqen të përfitojnë financiarisht duke premtuar ndikim në vendimmarrje penale.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com