Shoqata e Prokurorëve: Gjykimi kushtetues për pagat e magjistratëve të zhvillohet pa ndikime
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit dhe debatin publik mbi gjykimin kushtetues për pagat e magjistratëve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Në reagimin e saj, Shoqata vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me drejtësinë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme dhe të balancuar, në respekt të rolit kushtetues të magjistratëve, duke nënvizuar se çdo retorikë që synon të ndikojë opinionin publik kundër tyre nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.
Shoqata e Prokurorëve i bashkohet qëndrimeve dhe argumenteve të paraqitura nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se çdo ndryshim ligjor që sjell regres në standardet e njohura më parë, përfshirë uljen e pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.
Më tej, në qëndrimin e saj thuhet se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor në një shtet demokratik dhe se procesi kushtetues duhet të përfundojë i pandikuar nga presione të jashtme apo instrumentalizim i opinionit publik.
Shoqata shpreh besimin e saj te Gjykata Kushtetuese, si autoriteti i vetëm legjitim për dhënien e vendimit përfundimtar dhe mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e rendit kushtetues dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Fraksion.com

