“Përplasje me policinë, banori humbet ndjenjat”, Protesta për resortin në Rrjoll të Velipojës: U falsifikuan dokumentet. Leja e ndërtimit u firmos nga Balluku
Banorët e Rrjolit në Velipojë kanë protestuar edhe sot në lidhje me projektin për ndërtimin e një resorti luksoz në zonë.
Gjatë protestës ka patur edhe një përplasje mes protestuesve të forcave të rendit, ndërsa nga kjo një protestues ka humbur ndjenjat.
60 familje kërkojnë ndaljen e punimeve, ndërsa kjo nuk është hera e parë që këta banorë protestojnë.
“Jemi në pritje të ambulancës prej 15 minutash. Tokat tona u zaptuan, kemi certifikata pronësie. Firma po punon edhe pse jemi ende në gjyq. Për zaptimin e pronave janë falsifikuar dokumentet. Leja e ndërtimit të resortit u firmos nga Balluku. Hipoteka e Shkodrës të merret në hetim”, kanë deklaruar qytetarët.
Përplasje me policinë dhe punëtorët pati edhe në muajin mars, kur banorët nisën protestat, ndërsa depozituan edhe një padi në SPAK. Një fshat turistik me vila dhe hotele luksoze pritet të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks–Rrjoll.
Fraksion.com

