AktualitetPolitikëTë fundit

Integrimi në BE, Balla: 2026-a viti më intensiv i punës parlamentare

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian(KKIE), në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), zhvilluan sot një takim ndërgjegjësues me temë “Ecuria e adresimit të rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 në fushën e sigurisë ushqimore dhe sfidat për përmbushjen e angazhimeve në kuadër të procesit të negociatave në Grupkapitullin 5: Burimet, Bujqësia, Kohezioni”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, bashkëkryetari i KKIE-së, Taulant Balla, u shpreh se Këshilli është krijuar që në fillesë për të shërbyer si një platformë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi mes aktorëve institucionalë dhe shoqërisë civile.

“KKIE, që prej ditës kur u ideua, u krijua për të qenë një organizëm që bashkon të gjithë aktorët, qofshin ata institucionalë, por mbi të gjitha për të qenë pika e takimit me organizatat e shoqërisë civile”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se gatishmëria e KKIE-së për të vijuar veprimtarinë e saj është e plotë, duke u mbështetur në përvojën e fituar ndër vite.

“Gatishmëria e KKIE është e plotë për të vijuar me një tjetër intensitet veprimtarinë e këtij Këshilli, jo thjesht duke iu referuar vitit të kaluar, por një eksperience të vyer të ndërtuar gjatë më shumë se 10 viteve ekzistencë”, tha ai.

Sipas Ballës, ky takim zhvillohet në një moment kyç për procesin e integrimit europian të vendit. Ai theksoi se viti 2026 pritet të jetë viti më intensiv i punës parlamentare, veçanërisht në funksion të përafrimit të legjislacionit me acquis të Bashkimit Europian.

“Viti 2026 do të jetë viti më intensiv i punës parlamentare. Nuk bëhet fjalë vetëm për ligjet që duhet të miratohen në Kuvend për procesin e përafrimit të legjislacionit, por për një volum shumë të madh reformash që lidhen drejtpërdrejt me negociatat”, u shpreh Balla.

Ai bëri të ditur se vetëm në dy seancat e fundit parlamentare janë miratuar mbi 30 ligje që lidhen me përmbushjen e piketave të negociatave për raundin e ardhshëm të Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

“Si kryetar i shumicës parlamentare, vlerësoj se do të jenë mbi 200 ligje që do të duhet të shqyrtohen, ndoshta brenda këtij sesioni që mbyllet në fund të korrikut, ose duke përfshirë edhe një pjesë të sesionit të dytë të këtij viti”, theksoi Balla.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com