SPAK refuzon vizitën e komisionit “Xhafaj”: Bie ndesh me pavarësinë kushtetuese të prokurorisë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar një kërkesë të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale për një vizitë monitoruese për çështjen e pastrimit të parave. Komisioni, i cili drejtohet nga socialisti Fatmir Xhafaj, e kishte paralajmëruar vizitën monitoruese për në datën 6 shkurt.
Por nga ana tjetër, SPAK i “mbylli derën” komisionit me argumentin se është në kapërcim të ligjit dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.
“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit”, thuhet në një shkresë të SPAK.
Më tej, organi i akuzës thekson se mbetet e angazhuar për të kontribuuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm “në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese”.
Por çfarë është Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale?
Monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të strategjive, rezolutave, vendimeve dhe planeve të veprimit të Kuvendit; shqyrtimin dhe ndjekjen e nismave të qytetarëve dhe peticioneve; realizimin dhe koordinimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të ligjeve nga ekzekutivi, institucionet dhe agjencitë e pavarura prej tij, përmes koordinimit të procesit parlamentar për kontrollin post-legjislativ (PLS); koordinimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Fraksion.com

