AktualitetPolitikëTë fundit

Rama me fermerët në Divjakë: Duhet të plotësohet siguria ushqimore e BE-së, përgatitjet të nisin që tani

Kryeministri Edi Rama, në një takim me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian kërkon që sot të fillojnë përgatitjet në sektorin e bujqësisë, për atë që do të ndodhë nesër.

Kreu i qeverisë nënvizoi se në rast se nuk plotësohen kriteret e sigurisë ushqimore të Bashkimit Evropian, ndalohet shitja e produkteve, pasi bëhesh pjesë e BE-së.

“Në rast se nuk plotësohen kriteret e sigurisë ushqimore të BE-së, ndalon shitja këtu, nuk shet dot as këtu, jo më të shesësh atje, sepse je pjesë tregut të BE-së. Natyrisht që kjo vjen pas një periudhë 15-vjeçare. Në rast se ne do ta na duhen edhe 5 vjet që të jemi pjesë e BE-së pra, në 2040 fillon kjo. Por 15 vite kalojnë shumë shpejt”, tha Rama.

Rama theksoi se fermerët që të kenë sukses në një treg më të gjerë duhet të informohen dhe të bëhen gati për të marrë më shumë financim përmes projekteve, si nga linja e kredisë sovrane të Bankës së Shqipërisë, ashtu edhe nga fondet e Bashkimit Evropian.

“Mua më vjen mirë që edhe nga këto dëgjesa, çfarë kemi ne në dorë si qeveri nga pikëpamja e buxhetit, mbështetjes edhe sa i përket infrastrukturës që ka të bëjë me ujitje, kullimin, mbrojtjen, ne do ta bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë duke i rritur financimet.  Por për të bërë financim dhe për t’u bërë shumë më tepër të suksesshëm në gjithë këtë territori dhe në Shqipëri dhe për ta pasur suksesin të shpërndarë në gjithë këtë numër të caktuar kompanish, duhet që secili të informohet dhe të behet gati për të marrë më shumë financim. Më shumë financim nuk vjen nga buxheti, por vjen nga instrumente të tjerë nga linja e kredisë e Bankës së Shqipërisë, vjen nga Banka e Zhvillimit, nga agrokrediti, nga fondet e BE-së, të gjitha këto duan projekte. Pa projekt thuaj çfarë të duash, duhet projekti, të tregosh ky është projekti këtë do të bëj unë dhe kështu do të nxjerr fitim”, tha Rama.

Ana tjetër, shtoi Rama, bashkitë duhet që me të gjithë ata që kanë interes për përpunim domatesh a përpunim frutash, të krijojnë ndërmarrjen përpunimit, ku bashkitë janë garantë të financimit për të marrë këto fonde.

Gjithashtu Rama foli edhe për ngritjen e ndërmarrjeve të vogla të agropërpunimit.

“Ngritja e ndërmarrje të voglave të agropërpunimit është një domosdoshmëri, është strategjike dhe duhet bërë tani për të krijuar vlerë të shtuar, për të mos patur asnjë problem në shitjen e prodhimit dhe për të qenë zot të çmimit në çdo kohë dhe për të imponuar tregun në çdo situatë”, tha Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com