Lamallari: Shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së nuk e kanë të dekriminalizuar shpifjen
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari deklaroi sot se dekriminalizimi i shpifjes nuk është direktivë e Bashkimit Europian, ndërsa shprehu përkushtimin për të çuar më tej reforma të tilla, që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës.
Në konferencën për shtyp duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve dekriminalizmin e shpifjes Llamallari tha se “për dekriminalizimin e shpifjes kemi komunikuar që në mbyllje të procesit screening të shqyrtimit të akteve ligjore dhe hartimit të pozicioneve të përbashkëta negociuese me Komisionin Europian. E vërteta është që kjo nuk ka të bëjë me direktiva të caktuara, nuk ka asnjë direktivë të BE, që përcakton dekriminalizim të plotë të shpifjes, kjo lihet në dispozicion të vendeve anëtare dhe shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së nuk e kanë të dekriminalizuar shpifjen, përkundrazi është vepër penale dhe në shumë prej tyre dënohet me burgim”.
Lamallari tha se “shumë pak vende e kanë dekriminalizuar dhe kjo ka ndodhur vetëm vitet e fundit megjithëse jemi të përkushtuar për të çuar më tej reformat e tilla që kanë të bëjnë pikërisht me shtetin e së drejtës dhe me përdorimin e çdo mase alternative duke përfshirë edhe ato sanksione financiare”.
Por, vijoi ministri, është shumë e rëndësishme të mos jemi të nxituar mos t’i bëjmë gjërat thjesht në emër të integrimit europian, por çdo lëvizje të bëhet duke respektuar kontekstin social ekonomik, kulturor të një vendi.
Lamallari vuri në dukje se “ky hapi i parë është shumë pozitiv nga qeveria shqiptare në varësi edhe të zhvillimeve që ndodhin në nivel europian, por edhe praktikës të Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe vendimeve të Gjykatës Europiane të Strasburgut ne do të marrim edhe masat përkatëse”.
“Por pa dyshim që kjo nuk e ndikon rrugëtimin tonë në kuptim të integrimit europian. Për këtë kemi diskutuar intensivisht edhe me Komisionin Europian kemi vendosur bashkarisht që do të ishte më e drejtë që të kishim gazetarë në mbrojtje të veçantë nga ligji penal duke përfshirë edhe kolegët tuaj në vendet e BE-së, duke mos u kufizuar vetëm brenda Shqipërisë”, nënvizoi Lamallari.
Ministri Lamallari tha se “në dispozitën e re të Kodit Penal kërkohet që kjo masë të aplikohet edhe ndaj kolegëve tuaj që mund të kryejnë detyrën në Shqipëri pavarësisht se ushtrojnë profesionin e gazetarit në një vend të BE-së”.
Fraksion.com

