Prokuroria në Prizren: Të dyshuar të tjerë po intervistohen mbi dyshimet për manipulim të votave
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të enjten se një grup i dytë i të dyshuarve është duke u marrë në pyetje si pjesë e hetimit të zgjeruar mbi dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit – të cilat nxitën rinumërim të plotë të votave.
Në njoftim në Facebook, Prokuroria theksoi se mori informacione shtesë lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës pas rinumërimit të votave në Prizren.
Ajo nuk tregoi për numrin e të dyshuarve që janë duke u marrë në pyetje në stacionin policor në rajonin jugor të vendit, por tha se ata dyshohen për vepra penale si, shkelja e të drejtave të votimit, korrupsioni zyrtar, si dhe shkelja e detyrës zyrtare.
Ky është operacioni i dytë që autoritetet për zbatim të ligjit e ndërmarrin në Prizren – vendin ku dyshohet se ka pasur më së shumti manipulim votash – pasi javën e kaluar i ndaluan mbi 100 të dyshuar.
Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.
Komisioni bëri të ditur ditë më parë se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar rreth 90 për qind e votave./rel
Fraksion.com

