Skandali seksual – Tronditet Mali i Zi, dorëheqje të njëpasnjëshme të disa zyrtarëve
Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave të Malit të Zi, Mirjana Pajkoviq, dhe ish-këshilltari i Presidentit të Malit të Zi, Dejan Vukshiq, janë në qendër të vëmendjes së skandalit seksual që po trondit qeverinë e këtij vendi. Pasi në fund të dhjetorit në publik u shfaqën pamje të Mirjana Pajkoviq, ajo për këtë e ka shpallur përgjegjës pikërisht Vukshiqin, duke paraqitur kallëzim penal kundër tij.
Vukshiq më pas i ka hedhur poshtë, siç thotë ai, “të gjitha pretendimet e pasakta, të paplota dhe tendencioze me të cilat, pa prova, po tentohet t’i atribuohet përgjegjësia për cenimin e privatësisë së Pajkoviq-it dhe shpërndarjen e pamjeve të kontestuara”.
“Për herë të parë këto përmbajtje i kam parë vetëm kur ato filluan të qarkullojnë në mënyrë të paligjshme në rrjetet sociale”, ka deklaruar Vukshiq.
Dejan Vukshiç ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANS) dhe këshilltar i sigurisë i presidentit të Malit të Zi, u dorëhoq, ndërsa Pajkoviq ka dhënë dorëheqje të premten e javës të kaluar. Të dy kanë deklaruar se arsyet janë private.
Funksionet publike dhe prania në media sociale
Pajkoviç, pos rolit institucional, ishte tejet e pranishme dhe me emër në rrjete sociale, kryesisht në Instagram, ku ndante jetën private e profesionale, dhe jepte komente personale mbi figura publike.
Në vazhdimësi ajo ka bërë thirrje se gratë në politikë shpesh përballen me presion “për të qenë të padukshme” e se pamja e tyre interpretohet padrejtësisht si mungesë e seriozitetit.
Ajo besonte se paraqitja publike është pjesë e përgjegjësisë zyrtare, ka shkruar Slobodna.
Deklaratat e saj vazhdimisht merrnin vëmendje publike.
Videoja virale
Pas skandalit, asaj iu rikthye një video e 2022-tës. Në maj të atij viti, kur ajo ishte pyetur për udhëheqësin e preferuar të Malit të Zi, ishte shprehur Dejan Vukshiç.
Atë kohë, Vukshiç nuk ishte gjerësisht i njohur për publikun. Më pas ai u bë drejtor i ANS-së dhe më vonë edhe këshilltar i presidentit. Ndaj tij, Pajkoviç bëri tri padi në fund të vitit 2025.
Kërcënime e shantazhe
Ajo ishte ankuar në Polici për shpërndarje të paautorizuar të materialeve intime, kërcënime e shantazh, duke thënë se i është ekspozuar për kohë të gjatë presionit. E ka përshkruar publikimin e videove si formë të dhunës dhe shkeljes serioze të të drejtave të njeriut.
Si pjesë të dokumenteve, ajo pati dorëzuar edhe një audioincizim në të cilin thotë se është zëri i Vukshiqit duke e kërcënuar se “për të më nuk ka jetë në Mal të Zi”. Po ashtu ajo ka thënë se ka marrë kërcënime se mund t’i shkatërrohet karriera.
Prokuroria Shtetërore në Podgoricë ka iniciuar dy raste bazuar në kallëzimet penale të paraqitura nga Pajkoviç. Procedurat janë në fazën e hetimeve.


Fraksion.com

