“Jeta nuk kthehet mbrapsht”, Balla: Njerëzit jetojnë edhe pa shpifjen dhe parkimin dysh
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi ashpër ndaj kritikave të opozitës për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, duke i cilësuar ato si keqinterpretime dhe dezinformim të qëllimshëm.
Balla theksoi se procesi i hartimit të këtyre ndryshimeve ka qenë i gjatë dhe gjithëpërfshirës, i mbështetur në punën e ekspertëve të Kuvendit dhe të qeverisë, dhe se çdo dispozitë është dakordësuar germë për germë me Bashkimin Evropian.
Duke u ndalur te çështja e shpifjes dhe marrëdhënia e saj me mediet, Balla hodhi poshtë akuzat se ligji synon të mbrojë politikanët, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për amnisti personale apo politike, por për një qasje parimore që ndan qartë përgjegjësitë mes politikanëve dhe gazetarëve.
Balla akuzoi opozitën se po kërkon të përdorë ligjin për të zgjidhur konfliktet e saj të brendshme dhe personale, duke folur hapur për konflikt interesi dhe hipokrizi politike.
Në të njëjtën kohë, kryetari i grupit parlamentar të PS u ndal edhe te debati për parkimin e dyfishtë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndëshkim arbitrar të qytetarëve, por për masa që synojnë mbrojtjen e jetës dhe sigurinë publike, veçanërisht në rastet kur bllokohen ambulancat dhe mjetet zjarrfikëse.
“Më mirë paguan 10 000 lekë gjobë për parkim dyfish sesa ta çosh ta parkosh makinën në vendparking. Madje është në modë që po e ke makinën nga këto të shtrenjtat, duhet ta vësh tresh që të bjerë në sy. Jetohet edhe pa parkim dyfish, por jeta e atyre njerëzve që rrezikohet nëse vonohet ambulanca, nëse vonohet makina zjarrfikëse, ajo nuk kthehet dot mbrapsht. Prandaj është ardhur me një propozim që t’u bëhet e qartë të gjithëve, kapadainjve, që nëse ti e parkon dyfish dhe ky “Benz”-i jot, ky “Ferrari” jot, i zë rrugën ambulancës, i zë rrugën makinës zjarrfikëse, bëje mend mirë, dëgjoje mirë”, theksoi Balla.
Në fund të fjalës së tij, Balla theksoi se ndryshimet në Kodin Penal janë pjesë e një pakete më të gjerë ligjore për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, terrorizmit, trafikut të qenieve njerëzore dhe abuzimit seksual të fëmijëve, duke paralajmëruar se çdo votë kundër këtyre ndryshimeve përbën një qëndrim të qartë politik ndaj këtyre fenomeneve.
Fraksion.com

