AktualitetEkonomiTë fundit

Sejko: Presione demografike mbi ekonominë, kërkohen reforma të guximshme në pensione dhe tregun e punës

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se ekonomia shqiptare ka treguar përshtatshmëri dhe qëndrueshmëri të lartë vitet e fundit, e mbështetur nga inflacioni i ulët, rritja e qëndrueshme ekonomike, rritja e punësimit dhe e pagave.

Gjatë fjalës së mbajtur sot në Tiranë, në prezantimin e raportit të tranzicionit 2025–2026 të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sejko theksoi se kushtet e tregut të punës janë përmirësuar ndjeshëm, me rënie të papunësisë në nivele historikisht të ulëta dhe rritje të produktivitetit të punës krahasuar me periudhën para krizës financiare globale, ndërkohë që presionet demografike janë kompensuar përmes rritjes së normës së pjesëmarrjes në tregun e punës.

“Pavarësisht kësaj arritjeje, prirjet negative demografike në Shqipëri pritet të jenë të qëndrueshme. Studimet tona tregojnë se këto prirje ka të ngjarë të ushtrojnë presion në rënie mbi normat reale të interesit. Ky mjedis kufizon efektivitetin e politikës monetare konvencionale, pasi normat e ulëta të interesit u lënë bankave qendrore më pak hapësirë për të stimuluar ekonominë. Në të njëjtën kohë, ndryshimet demografike mund të shkaktojnë ndërlikim edhe të dinamikave të inflacionit. Hulumtimet tona tregojnë se rritja e normës së pjesëmarrjes në tregun e punës vjen si pasojë e pagave më të larta”, tha Sejko.

Sipas tij, këto gjetje për Shqipërinë janë në rezonancë të plotë me përfundimet e paraqitura më gjerë në raportin e tranzicionit të BERZH-it.

Sipas Guvernatorit, të dhënat e regjistrimit të popullsisë 2023 tregojnë se Shqipëria ka rreth 2.4 milionë banorë, ndërsa mosha mesatare ka arritur pothuajse 43 vjeç. Emigracioni, dikur faktor lehtësues për papunësinë, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një sfidë strukturore për ekonominë dhe shoqërinë.

Sejko vlerësoi se, pavarësisht presioneve demografike, ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri të lartë vitet e fundit, e mbështetur nga inflacioni i ulët, rritja ekonomike, përmirësimi i tregut të punës dhe forcimi i sektorit bankar. Ai theksoi rolin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse.

Ai theksoi se përballimi i sfidave demografike kërkon reforma të guximshme në sistemet e pensioneve, përshtatjen e tregut të punës, hartimin e politikave të qëndrueshme të migracionit dhe investime për mirëqenien e një popullsie në plakje, përfshirë përdorimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale, me fokus të veçantë te brezat e rinj në procesin vendimmarrës ekonomik.

Në përmbyllje, Sejko theksoi se demografia nuk duhet parë si një fat i paracaktuar dhe bëri thirrje për reforma të guximshme, përfshirë reformimin e sistemeve të pensioneve, modernizimin e tregut të punës, politika realiste të migracionit dhe investime në teknologji dhe inteligjencë artificiale, me brezat e rinj në qendër të vendimmarrjes ekonomike.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com