AktualitetPolitikëTë fundit

Ministri i Jashtëm i Izraelit: Historia unike e Shqipërisë ndaj hebrenjve, shembull morali

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi sot aktivitetin “Ura që lidh brezat”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Në një mesazh dërguar për këtë aktivitet, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, u shpreh se historia unike e Shqipërisë qëndron sot si një shembull morali.

“Ndërsa në pjesën më të madhe të Evropës hebrenjtë deportoheshin në kampet e vdekjes, populli shqiptar u ngrit për t’i mbrojtur ata. Në emër të kodit të tij të nderit, ‘Besës’, asnjë hebre nuk u dorëzua drejt vdekjes”, tha ai.

“Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebreje u rrit gjatë Holokaustit”, u shpreh ministri izraelit, duke shtuar se “ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë”.

“Populli hebre dhe shteti i Izraelit do të jenë gjithmonë mirënjohës për kurajën tuaj në shpëtimin e hebrenjve dhe për faktin që zgjodhët anën e duhur të historisë”, theksoi Saar.

“Ne vlerësojmë kurajën morale të Shqipërisë edhe sot e kësaj dite. Vlerësojmë miqësinë e Kryeministrit Edi Rama dhe udhëheqjen e tij morale”, u shpreh ai.

“Kurrë nuk duhet të harrojmë gjashtë milionë gratë, burrat dhe fëmijët hebrenj të vrarë gjatë Holokaustit. Kurrë më”, përfundoi mesazhin ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com