Kharkivi në errësirë! Rutte ngre alarmin për “katastrofë energjitike në Ukrainë”
Dronë dhe raketa ruse goditën Kharkivin të hënën, 26 janar, duke lënë pa energji elektrike rreth 80% të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës dhe zonat përreth, ndërsa dy persona mbetën të plagosur.
Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov, tha se ishte goditur një “objekt energjetik”, në një moment kur temperaturat gjatë natës zbritën deri në –14 gradë Celsius. Edhe kryeqyteti është përballur me tre sulme masive ajrore që nga fillimi i Vitit të Ri, duke lënë pa energji dhe ngrohje qindra ndërtesa.
Korrespondentja e luftës dhe drejtoresha ekzekutive e njësisë për krime lufte “The Reckoning Project”, Janine di Giovanni, thotë se presidenti rus Vladimir Putin po e përdor të ftohtin ekstrem si mjet presioni kundër Ukrainës.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Ukraina po përballet me “dimrin më të ashpër” në më shumë se një dekadë. Duke folur në Parlamentin Europian, ai u bëri thirrje ligjvënësve të tregojnë fleksibilitet në përdorimin e fondeve të BE-së dhe përshëndeti vendimin e Francës për të sekuestruar një cisternë të dyshuar se është përdorur nga Rusia për të financuar luftën.
Rutte theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Ukrainën, përfshirë pajisje ushtarake të kushtueshme amerikane. Ai vuri në dukje se Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO, por shtoi se disa shtete anëtare mbeten kundër, ndaj “politikisht, për momentin kjo nuk është e realizueshme”.
Sipas tij, synimi i bisedimeve për paqe të udhëhequra nga SHBA-të duhet të jetë arritja sa më shpejt e një marrëveshjeje paqeje ose të paktën një armëpushimi afatgjatë.
“Siguria e Ukrainës është edhe siguria jonë”, deklaroi ai.
Duke komentuar deklaratat e fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, se garancitë e sigurisë nga SHBA-të janë “afër finalizimit”, Rutte pranoi se çështja e territorit me Rusinë mbetet një temë shumë e ndjeshme dhe se vetëm Ukraina mund të vendosë çfarë kompromisesh, nëse ka, është e gatshme të bëjë.
Megjithatë, sipas një raportimi të Financial Times, administrata Trump i ka sinjalizuar Kievit se garancitë e sigurisë mund të varen nga pranimi i një marrëveshjeje që do të kërkonte dorëzimin e rajonit të Donbasit. Po sipas këtij raporti, SHBA-të mund të ofrojnë më shumë armë për të forcuar ushtrinë ukrainase në kohë paqeje, nëse Kievi tërheq forcat nga zonat e Donbasit që aktualisht kontrollon.
Në një tjetër sulm rus me dronë dhe raketa, janë dëmtuar pjesë të kompleksit fetar Kyiv Pechersk Lavra. Sulmi ndodhi gjatë natës së së shtunës, 24 janar, dhe dëmet janë të shumta.
Ky kompleks, i themeluar në shekullin XI, konsiderohet qendra shpirtërore e ortodoksëve ukrainas dhe është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Ai përfshin mbi 100 ndërtesa dhe një rrjet shpellash nëntokësore ku jetojnë dhe luten murgjit.
Nga ana tjetër, shefi i shtabit të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, deklaroi se forcat ruse kanë marrë kontrollin e 17 vendbanimeve dhe mbi 500 km2 territor në Ukrainë vetëm gjatë muajit janar.
Fraksion.com

