“Jemi krenarë për këtë majë morale”, Spiropali: Shqipëria,15 herë më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi sot aktivitetin “Ura që lidh brezat”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Në fjalën e saj gjatë këtij aktiviteti, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se “dje, në seancën historike të mbajtur në Knesset, parlamentin izraelit, Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendjen e të gjithëve shembullin e jashtëzakonshëm të dritës shqiptare gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit, Holokaustit”.
“‘Arin po, hebrenjtë jo’, ishte në vitin 1943 përgjigjja e dhënë përballë ultimatumit të Gjermanisë naziste nga populli dhe autoritetet shqiptare”, tha Spiropali.
Ministrja nënvizoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që e përfundoi Luftën e Dytë Botërore me 15 herë më shumë hebrenj sesa e nisi.
“Shqipëria, pikërisht në kodin e saj moral, gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe për të nderuar jetën”, u shpreh ajo.
“Ne jemi krenarë për këtë majë morale që meriton të dëshmohet kudo, por që nuk është e vetmja në historinë tonë të strehimit dhe të mbrojtjes së të huajve dhe të njerëzve në nevojë”, shtoi ministrja.
Spiropali theksoi se Shqipëria vendosi t’i bashkohet Kartës së Bordit të Paqes të Presidentit Trump, përmes pjesëmarrjes së Kryeministrit Rama, si një vend që ka dalë nga errësira e totalitarizmit, me një vëllazëri fetare shembullore dhe pa ndarje etnike.
“Shqipëria ka çfarë të dëshmojë dhe t’i ofrojë botës edhe në këtë format, me qëllime fisnike për zgjidhjen e konflikteve të vjetra dhe të reja”, theksoi ajo.
Fraksion.com

