AktualitetPolitikëTë fundit

Vengu: Për Pashalimanin i qëndrojmë marrëveshjes me Turqinë që prej vitit 1992

Ministri  Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se nuk ka asnjë ndryshim të marrëveshjes me Turqinë për bazën e Pashalimanit.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me bazën e Pashalimanit dhe deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Turqisë, Yaşar Güler, Vengu theksoi se “ne kemi një marrëveshje prej vitit 1992 e ratifikuar, e rinovuar sërish në 1998 që parashikon pjesëmarrje të forcave detare turke të stacionuara me rotacion në Pashaliman”.

“Është e dobishme për forcat detare t’i qëndrojmë kësaj marrëveshje, nuk ka asnjë ndryshim sa i përket kësaj marrëveshje ndaj me të drejtë edhe homologu turk ka dhënë përgjigjen që ka dhënë sa i përket qëndrimit të forcave me rotacion në Pashaliman”.

Vengu u shpreh se marrëveshja midis kompanisë shtetërore “Kajo” me kompaninë italiane të prodhimit të anijeve “Fincantieri” ka të bëjë me veprimtarinë e prodhimit në Pashaliman.

“Ne po krijojmë një kompani të përbashkët ku shteti shqiptar do të ketë 49% të pronësisë të bashkëpronësisë dhe pala italiane do të jetë mazhoritare me përgjegjësi  përkatëse sa i takon investimeve në infrastrukturë, që mbeten prona jonë dhe linjës së prodhimit dhe të rinovimit sepse kemi nevojë për linjë mirëmbajtje të flotës sonë”, informoi Vengu.

“Pra, janë dy çështje të ndryshme nga njëra anë bashkëpunimi operacional dhe ushtarak stërvitor me Turqinë prej vitesh dhe nga ana tjetër veprimtaria prodhuese”, sqaroi Vengu.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com