Vengu: Partneritet në marrëveshjen me Kosovën e Kroacinë në fushën e mbrojtjes, nuk drejtohet kundër askujt
Ministri Mbrojtjes, Pirro Vengu dha sot detaje nga marrëveshja trepalëshe në fushën e Mbrojtjes, mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke theksuar se “të tre shtetet kanë nevoja të përbashkëta për rritjen e sigurisë”.
Në konferencën për shtyp duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për këtë marrëveshje Vengu tha se ka vënë re sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd, qoftë mediatike, qoftë politike.
“Kjo marrëveshje Shqipëri-Kroaci-Kosovë është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë pse jo, që Serbia nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit, është e rëndësishme, atëherë pse jo edhe Serbia t’i bashkëngjitet kësaj iniciative”, nënvizoi Vengu duke shtuar se nuk ka marrë përgjigje për këtë ftesë.
Ajo që mund të them, vijoi Vengu, është se Shqipëria, Kosova, Kroacia, kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik, arsimor, të bashkëpunojnë.
“Me Kosovën kemi një dakordësi për sa i përket prodhimit të mjeteve të blinduara dhe kjo vjen për dy arsye. E para sepse lexojmë rreziqet dhe kërcënimet në rajon në mënyrë të njëmendtë. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë të marrin leje për sa i përket kësaj pjese, e treta mikpresim edhe vende të tjera të na bashkëngjiten”, tha Vengu.
Ministri i Mbrojtjes e cilësoi këtë marrëveshje bashkëpunim dhe partneritet të hapur.
Ai tha se “nuk jemi në situatat e garancive të mbrojtjes. Ne kemi arkitekturën tonë të sigurisë kolektive, por kemi vënë re që tre vendet kanë nevoja të ngjashme, për sa i përket rritjes së kapaciteteve. Janë në një marrëveshje për të marrë secila më të mirën nga tjetra, për sa i përket industrisë ushtarake”.
“Kroacia është vend lider në Europë sot për sa i përket dronëve të vegjël luftarakë dhe ka një industri të konsoliduar sikundër edhe ne synojmë që në kuadër të mjeteve të blinduara të krijojmë një epërsi dhe pse jo edhe të nisim të eksportojmë”, tha Vengu.
Fraksion.com

