Mbytet trageti në Filipine me 350 persona në bord, të paktën 15 viktima
Të paktën 15 persona kanë humbur jetën pasi një traget me më shumë se 350 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi u fundos herët të hënën pranë një ishulli në jug të Filipineve. Sipas autoriteteve lokale, 28 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Trageti M/V Trisha Kerstin 3, i cili transportonte mallra dhe pasagjerë , ishte nisur nga qyteti port i Zamboangës drejt ishullit Jolo, në provincën Sulu, me 332 pasagjerë dhe 27 anëtarë ekuipazhi. Sipas rojes bregdetare, anija hasi probleme teknike dhe u mbyt pak pas mesnatës.
Ngjarja ndodhi në kushte moti të mirë, rreth një milje detare (1.8 kilometra) nga fshati ishullor Baluk-Baluk, në provincën Basilan, ku fillimisht u dërguan shumë prej të mbijetuarve. Komandanti i rojes bregdetare, Romel Dua, deklaroi se në bord ndodhej edhe një oficer sigurie i rojes bregdetare, i cili ishte i pari që njoftoi autoritetet për incidentin dhe kërkoi ndihmë. Oficeri i sigurisë mbijetoi.

