AktualitetPolitikëTë fundit

Hasimja: Forum dialogu për bashkimin e opozitës, partitë t’i lënë sulmet mes tyre

Politologu Eral Hasimja njoftoi sot krijimin e një forumi për dialog politik nga një grupim opozitarësh jopartiakë.

Hasimja sqaroi se ky forum dialogu do të luajë rolin e ndërmjetësit mes partive politike të opozitës dhe nuk ka asnjë qëllim të shndërrohet në një forcë politike. Duke shpjeguar qëllimin e forumit, Hasimja ftoi të gjitha partitë politike opozitare të bashkohen me qëllimin e vetëm, të mbrojtjes të interesave të shqiptarëve.

“Duke konstatuar me shqetësim degradimin e qeverisjes dhe përhapjen e korrupsionit në të gjitha nivelet e saj, rritjen e pushtetit të krimit të organizuar dhe narkotrafikut në vendimmarrjen publike, si dhe vështirësitë që po kalon opozita në ndërtimin e një alternative të besueshme dhe efikase, ne një grup qytetarësh të pavarur nga partitë, por me qëndrim opozitar, kemi vendosur të ndërmarrim këtë nismë publike për lehtësimin e dialogut mes partive të opozitës”, u shpreh ai.

Hasimja theksoi se drejtuesit e partive politike duhet të lënë mënjanë interesat personale, përplasjet dhe sulmet që kanë pasur ndër vite mes tyre pasi si parti politike janë ato që do t’i japin formë këtij procesi.

“Për ne është e rëndësishme, si qytetarë, si intelektualë, si njerëz të angazhuar dhe si opozitarë, pavarësisht se nuk jemi pjesë e partive, që të gjitha këto energji të shpërndara në 700 drejtime të ndryshme mes partive, të cilat një pjesë të kohës luftojnë njëra-tjetrën në vend që të merren me interesat e publikut dhe të elektoratit shqiptar, të arrijnë të rakordohen dhe të bashkëpunojnë për një qëllim më të madh”, tha ai.

Sipas tij, opsioni më i mundshëm është bashkëpunimi, ku secila palë përfiton duke lëshuar pak nga e vetja, përfshirë edhe nga sulmet personale që janë parë deri më sot, në funksion të interesit të përgjithshëm, por edhe të interesit të vetë partive politike.

Iniciatorët e këtij forumi janë politologu Ermal Hasimja, avokati Redi Ramaj, pedagogu i së drejtës ndërkombëtare Hektor Ruçi, doktoranti në shkencat politike Altin Gjeta, si dhe bashkëthemeluesi i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com