11 të vdekur nga moti i keq në SHBA, zona pa energji
Të paktën 11 persona janë raportuar të vdekur si pasojë e të ftohtit ekstrem, i shoqëruar me reshje intensive bore në formë akulli, që ka goditur disa shtete të SHBA-së. Reshjet më të dendura të dëborës, deri në 30 centimetra ose më shumë, u regjistruan të dielën në pjesë të Kolorados, Illinois, Indiana, Missouri, New Jersey, New York dhe Pennsylvania.
Shkollat në disa qytete kryesore kanë anuluar mësimet ose kanë kaluar në mësim në distancë për ditën e hënë. Sipas meteorologëve, dëbora e madhe, breshëri dhe shiu i ngrirë – një fenomen i rrezikshëm ku pikat e shiut ngrijnë menjëherë në sipërfaqe – mund të zgjasin për disa ditë dhe stuhia mund të prekë deri në 180 milionë amerikanë, më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit. Ekspertët paralajmërojnë se rreziku më i madh lidhet me akullin, i cili mund të dëmtojë pemët, të rrëzojë linjat e energjisë dhe të bëjë rrugët jashtëzakonisht të rrezikshme për qarkullim.

