Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, duke deklaruar në një konferencë për mediat se gjatë tubimit janë ushtruar akte dhune ndaj protestuesve nga ana e Policisë së Shtetit.
Berisha pretendoi se forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe shkopinj, duke i cilësuar këto veprime si të pajustifikuara ndaj protestuesve që ai i përshkroi si paqësorë. Sipas tij, gazi i përdorur ishte i skaduar dhe, siç deklaroi ai, përbën rrezik për shëndetin, duke shtuar se përdorimi i tij bie ndesh me konventat ndërkombëtare.
Në deklaratën e tij, Berisha përmendi edhe ndalimin e një fëmije 10-vjeçar, duke thënë se ai nuk kishte lidhje me protestën dhe ishte ndaluar ndërsa po largohej nga një xhami. Ai e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm dhe akuzoi autoritetet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Kreu i PD-së deklaroi gjithashtu se disa deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike janë përballur me sjellje agresive nga ana e forcave të rendit, duke përmendur nënkryetarin e PD-së Luçiano Boçi dhe deputetët Zija Ismaili dhe Besart Xhaferri.
Fraksion.com