“Qytetarët do t’i japin leksion të fortë, Rama nëse është burrë të rrijë në zyrë”, Berisha: Nuk ka bashkëpunim me narko-mazhorancën, vetëm betejë!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një përballje të fortë me qeverinë në protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme, duke deklaruar se qytetarët do t’i japin “mësimin që meriton” mazhorancës.
“Do t’ia japim mësimin që meriton qeverisë në protestën e nesërme. Qytetarët do t’i japin qeverisë një leksion të fortë. Rama të rrijë në zyrë, ta provojë. Dyert i ka të blinduara, le të rrijë aty nëse është burrë,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike ka ndërprerë çdo formë bashkëpunimi me mazhorancën, të cilën e cilësoi si “narko-mazhorancë”, ndërsa njoftoi nisjen e reformave të reja nga opozita.
Sipas Berishës, opozita do të ndërmarrë reformën territoriale dhe atë zgjedhore pa përfshirjen e qeverisë, duke bashkëpunuar me forcat opozitare, median dhe aktorë të tjerë shoqërorë. Ai bëri të ditur se deputetët Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi do të kryesojnë komisionet përkatëse nga ana e Partisë Demokratike.

