Ivanka Trump publikon pamje nga bregdeti i Vlorës, i shoqëron me këngën “Luleborë”
Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ndau në rrjetet sociale disa pamje nga bregdeti i Vlorës.
Në fotot dhe videot e publikuara shfaqen peizazhet e bukura natyrore, deti dhe gjelbërimi i zonës, ndërsa në sfond dëgjohet kënga shqiptare “Luleborë”.
Disa prej pamjeve janë nga Plazhi i Porto Novos, pamje me sfond ishullin e Sazanit si dhe pamje nga vizita e saj në Manastirin e Zvërnecit.
Ivanka Trump qëndroi për dy ditë në Vlorë. Mbrëmjen e së enjtes ajo u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama. Po ashtu, Rama udhëtoi drejt Vlorës të mërkurën, ku u takua dhe darkoi me Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.
Ajo mbërriti të mërkurën në qytetin bregdetar të Vlorës, e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia e Shtetit, dhe u akomodua në një nga hotelet në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.
Vizita e saj vijon pa asnjë njoftim zyrtar për agjendën, me synim kryesor vijimin e projektit të madh të investimit që ajo dhe bashkëshorti Jared Kushner kanë planifikuar të bëjnë në gjirin e Vlorës, në zonën e ishullit të Sazanit dhe në Zvërnec, një investim prej 1 miliard dollarësh për një resort turistik elitar në këto zona.
Ivanka Trump ka qenë disa herë në Shqipëri në gjirin e Vlorës, të cilin e ka vizituar edhe duke udhëtuar me helikopter.





Fraksion.com

