AktualitetPolitikëTë fundit

“Garantim i sigurisë kombëtare”, Vengu: 343 aplikime për shërbim aktiv në fazën e parë të rekrutimeve

Rekrutimet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po shënojnë një prirje të qëndrueshme në rritje.

Gjatë Fazës së parë të vitit 2026 janë regjistruar 343 aplikime për shërbim aktiv, duke reflektuar një vijimësi pozitive të trendit të vitit 2025 dhe një interes në rritje të të rinjve për uniformën ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur këtë zhvillim përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se rritja e interesit dhe besimit të rinisë lidhet me politikat e ndjekura për përmirësimin e kushteve të shërbimit ushtarak.

Sipas ministrit, rritja e pagave, konsolidimi i shërbimit ushtarak si një karrierë e denjë dhe afatgjatë, si dhe rikthimi i dinjitetit të uniformës, kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e motivimit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.

Të dhënat e rekrutimit konfirmojnë një prirje pozitive të raportit mes rinisë dhe institucionit të mbrojtjes, duke dëshmuar një rritje të qëndrueshme të interesit për shërbimin aktiv. Paralelisht, Forcat e Armatosura vijojnë proceset për rritjen jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi të komponentit aktiv, përmes investimeve në përgatitjen profesionale, mirëqenien dhe perspektivën afatgjatë të personelit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, këto politika dhe masa konkrete kanë sjellë rezultate të matshme dhe përbëjnë një element të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve njerëzore të Forcave të Armatosura, si dhe në rritjen e rolit të tyre në garantimin e sigurisë kombëtare.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com