Sot në Bruksel do të mbahet një rund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë
Një rund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – në nivel kryenegociatorësh – pritet të mbahet sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.
Takimi do të zhvillohet pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar dhe mësohet se i dërguari i bllokut do të zhvillojë bisedime të ndara me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Më pas pritet edhe një takim trepalësh mes tyre.
Mësohet se në agjendë të rundit të ri do të jetë Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën kishin arritur pajtueshmëri më 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Takimi i parë ishte paraparë të mbahej në janar, por pala serbe nuk pranoi të merrte pjesë për shkak të veprimeve për mbylljen e zyrave që mbështeten nga Serbia në Kosovë.
Takimi i sotëm do të jetë i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 14 janar, Sorensen tha lidhur me dialogun se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.
“Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen në Prishtinë.
Ai tha se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.
Kurti – i cili pritet të jenë në krye të qeverisë së vendit edhe për një mandat të tretë katërvjeçar – e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit që la një rreshter të vrarë, Millan Radoiçiq.
Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kur ndodhi sulmi dhe e mori përgjegjësinë për të. Beogradi nuk ka pranuar t’ia dorëzojë Kosovës atë, dhe thuhet se ai endet i lirë në Serbi.
Edhe Serbia ka kushtet e veta në dialog, siç e ritheksoi edhe Petkoviq pas takimit me Sorensenin më 16 janar në Beograd.
Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.
Ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por Prishtina nuk ka ndërmarrë hapa për ta përmbushur këtë kërkesë./REL
Fraksion.com

