Kapri i drejtohet Ramës në Parlament: A jeni krenar që nuk jeni në Davos për nënshkrimin e Bordit të Paqes?
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i është drejtuar kryeministrit Edi Rama gjatë seancës parlamentare, në lidhje me mbledhjen për miratimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e ideuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ku Shqipëria është ftuar të marrë pjesë.
Kapri ngriti pikëpyetje mbi faktin që Kuvendi po detyrohet të miratojë një projektligj që parashikon emrin nominal të kryeministrit për përfaqësimin e vendit, pavarësisht se Kushtetuta përcakton qartë parimet e politikës së jashtme.
“Duke përfituar nga rasti që kemi kryeministrin në sallë, dua mendimin e tij nëse është krenar sot që presidentja e Kosovës ndodhet në nënshkrimin e Bordit të Paqes, ndërsa kryeministri i Shqipërisë nuk ndodhet në Davos për të firmosur”, u shpreh Kapri.
Ndërsa mirëpriti ftesën e Shteteve të Bashkuara, deputeti i Partisë Mundësia ngriti edhe një tjetër shqetësim, duke cituar një deklaratë të fundit të presidentit Trump.
“Sot Trump tha se mes liderëve që kam ftuar disa nuk i duroj dot. Pyetja ime është: na kërkoni të votojmë që të na përfaqësoni ju Shqipërinë, ndërkohë që Trump thotë se nuk ju do ju. Si do t’ia bëjmë?”, përfundoi Kapri.
Deklarata e tij ngjalli debat në sallën e Kuvendit, duke rikthyer në vëmendje mënyrën e përfaqësimit të Shqipërisë në nisma të rëndësishme ndërkombëtare dhe raportet me partnerët strategjikë.
Fraksion.com

