Trump mban flalim në Davos: Vetëm SHBA-të mund të garantojnë sigurinë e Groenlandës
Presidenti amerikan Donald Trump ndodhet këtë të mërkurë, më 21 janar, në Davos, në Forumin Ekonomik Botëror. Që në nisje të fjalës së tij, presidenti amerikan nuk i kurseu kritikat për Europën, duke thënë se kontinenti “nuk po ecën në drejtimin e duhur”.
Pasi renditi arritjet e pretenduara të qeverisë së tij, presidenti amerikan u tha të pranishmëve: “Vendet nga ku vini ju mund të bëjnë shumë më mirë duke ndjekur atë që po bëjmë ne, sepse disa vende në Europë nuk njihen më. E dua Europën dhe dua ta shoh të ecë mirë, por nuk po ecën në drejtimin e duhur”.
Trump u ndal edhe tek Groenlanda pasi kohët e fundit ka ashpërsuar retorikën mbi këtë territor.
“Çdo aleat i NATO-s ka detyrimin të jetë në gjendje të mbrojë territorin e vet. Fakti është se asnjë komb apo grup kombesh nuk është në gjendje të sigurojë Groenlandën, përveç Shteteve të Bashkuara. Ne jemi një fuqi e madhe, shumë më e madhe sesa njerëzit e kuptojnë.”
“Groenlanda, territori ynë! E duam për sigurinë kombëtare”
“Groenlanda është një territor i gjerë, pothuajse krejtësisht i pabanuar dhe i pa zhvilluar, që qëndron i pambrojtur në një vendndodhje kyçe strategjike mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Ka aq shumë minerale të rralla, dhe për t’i nxjerrë këto minerale të rralla duhet të kalosh qindra metra akull. Por kjo nuk është arsyeja pse na duhet, na duhet për siguri strategjike kombëtare dhe siguri ndërkombëtare. Ky ishull gjigant i pasiguruar është në fakt pjesë e Amerikës së Veriut, në kufirin verior të Hemisferës Perëndimore, ky është territori ynë”.

“Nuk ka asgjë të gabuar” me marrjen e territoreve nga SHBA-të
Donald Trump përsëriti një pretendim që e ka bërë më parë, se presidentët amerikanë kanë kërkuar të blejnë Groenlandën për gati dy shekuj.
“Në vitin 2019, Danimarka tha se do të shpenzonte mbi 200 milionë dollarë për të forcuar mbrojtjen e Groenlandës. Por siç e dini, ata shpenzuan më pak se 1% të asaj shume”, tha ai. “Nuk ka asnjë shenjë të Danimarkës atje. E them këtë me shumë respekt për Danimarkën, popullin e së cilës e dua [dhe] udhëheqësit e së cilës janë shumë të mirë”.
Trump përsëriti një tjetër pretendim të mëparshëm se vetëm SHBA mund ta mbrojë Groenlandën, “ta zhvillojë dhe ta përmirësojë dhe ta bëjë që të jetë e mirë për Europën dhe e sigurt për Europën, dhe e mirë për ne. Kjo është arsyeja pse po kërkoj menjëherë negociata për të diskutuar sërish marrjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara, ashtu siç kemi marrë shumë territore të tjera gjatë historisë sonë, ashtu si kanë bërë shumë nga kombet europiane. Nuk ka asgjë të gabuar me këtë.”

“Pas një viti të presidencës sime ekonomia është në lulëzim të plotë”
“Pas një viti të presidencës sime, ekonomia e SHBA është në lulëzim të plotë”. Kështu tha Donald Trump në forumin e Davosit, duke shtuar se “praktikisht nuk ka inflacion” në Shtetet e Bashkuara dhe se “kufijtë janë të papërshkueshëm”.
“Kam ulur çmimin e naftës!”
Mes shumë deklaratash, presidenti amerikan tha se ai ka arritur gjithashtu të ulë çmimin e naftës me 1 deri në 2 dollarë, gjë që sipas tij administrata e kaluar nuk e ka arritur asnjëherë më parë.
“Në udhëheqjen tonë po ndodhin gjëra të inteligjente. Pra po shikoni që ka një reduktim të çmimit të naftës në shtete të ndryshme amerikane. Është 1 apo 2 dollarë më pak. Këto shifra nuk janë arritur asnjëherë më parë në administartën e kaluar. Kam nënshkruar dhe një urdhër për të ndaluar prodhimin e energjisë në centrale bërthamore. Nuk e marr një rrezik të tillë për prodhim të energjisë”, tha Trump.
“Kemi hapur vende të reja pune, në sektorin privat sidomos. Dy tre herë më shumë. Po më urrejnë për gjithçka kam bërë.”
“SHBA-të janë motori ekonomik i Planetit”
Shtetet e Bashkuara janë “motori ekonomik i planetit”: kështu deklaroi Donald Trump duke folur në Davos. SHBA po shkon drejt “një rritjeje të paparë më parë, ndoshta kurrë të parë më parë në ndonjë vend”, tha ai duke cituar një vlerësim të rritjes prej 5,4%.
“Ne kemi marrë 50 milionë fuçi nga Venezuela. Do t’i ndajmë me ta. Ishte një vend i madh, por ka pasur probleme; sekreti është që ata pranuan të bëjnë një marrëveshje. Venezuela ishte një vend i madh 20 vite më parë, nga tani e tutje do të ecë në mënyrë fantastike. Venezuela do të fitojë më shumë para në 6 muajt e ardhshëm sesa ka fituar në 20 vitet e fundit”.

“Administrata Biden, model i dështuar“
Gjatë fjalës së tij, Trump kritikoi gjithashtu modelin e “dështuar” sipas tij të administratës së paraardhësit të tij në detyrë, Joe biden.
“Po i heqim mullinjtë e erës dhe nuk miratojmë asnjë të ri. Kemi pushuar burokratët, atëherë më urrenin, por tani kanë gjetur vende pune në sektorin privat dhe më duan”. Ai përmend shifra marramendëse për rritjen dhe inflacionin. “Kemi siguruar angazhime për investime prej 18 mijë miliardë euro në vendin tonë, gjë që nuk e ka bërë asnjë vend ndonjëherë”.
Fraksion.com

