“Të shkarkoi ai!”, Vokshi pyet Ballën: Taulant a je viktimë e Ergys Agasit? Bashkohu me ne dhe denonco!
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi nga Byroja e Kuvendit ka ironizuar kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Ajo tha se Balla duhet të ishte bërë bashkë me opozitën, që të denonconte Ergys Agasin, i cili sipas tij e kishte shkarkuar nga ministria e Brendshme.
“A jeni ju Taulant, viktimë e Ergys Agasit? A të ka shkarkuar ty Agasi dhe dy kolegë të ty të tjerë. Duhej të ishte këtej nga krahu ynë Taulant, duhet të kishte denoncuar. Të kishe reflektuar, dh të mos të dilte emri te Sky apo Encrochat.”, tha ajo.
Ajo sulmoi ish-ministrin Ulsi Manja, duke thënë se ai erdhi në mbledhje vetëm për të formalizuar një vendim të marrë më herët. “Vjen sot zoti Manja që të marrë një vendim që e ka dhënë vetë. Pse votuat për t’i mbyllur dyert mediave? Sepse nuk donit që mediat ta dinin se vendimi u mor në shkelje,” u shpreh deputetja demokrate.
Sipas Vokshit, mazhoranca nuk ka të drejtë të pezullojë mandatin e deputetëve të opozitës. “Mandatin e deputetit nuk e pezulloni dot ju, sepse na e kanë dhënë qytetarët,” tha ajo, duke e cilësuar vendimin si një precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe pluralizmin politik.
Deputetja theksoi se vendimi i ankimuar nuk lidhet thjesht me përjashtimin e disa deputetëve, por përfaqëson një akt politik. “Çfarë po bëni sot? Një akt të rëndë politik që krijon një precedent të rrezikshëm. Ky është thelbi i pluralizmit. Ky vendim nuk ka të bëjë me përjashtimin e një deputeti, por me një vendim politik të një byroje politike. Edhe Enveri do ua kishte zili,” u shpreh ajo.
Në fund, Vokshi akuzoi mazhorancën për standarde të dyfishta, duke përmendur mosmbledhjen e Këshillit të Imunitetit. “Keni dy muaj që nuk mblidhni Këshillin e Imunitetit se ua thotë SPAK-u dhe me vrap mblidheni kur bëhet fjalë për opozitën,” përfundoi deputetja.
Fraksion.com

